Klonuan kartela dhe blenë telefona mbi 10 mijë euro, arrestohen tre të rinj në Prishtinë

  • E.K /
  • 28 September 2021 - 09:38
 Klonuan kartela dhe blenë telefona mbi 10 mijë euro, arrestohen tre të rinj në Prishtinë

Policia në Prishtinë ka arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare.

Sipas policisë, të dyshuarit në bashkëveprim me njëri-tjetrin, përmes kartelave bankare të klonuara, kanë blerë online telefona mobil, ndërkaq dëmi i shkaktuar nga këto blerje është mbi 10 mijë euro.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, gjegjësisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, pas marrjes së veprimeve hetimore dhe operacionale ka arrestuar tre persona nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘keqpërdorim i kartelave bankare dhe të kreditit’. Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri tjetrin përmes kartelave bankare të klonuara kanë blerë online mallra të ndryshme (telefona mobil). Dëmi i shkaktuar nga këto blerje është mbi 10000 (dhjetëmijë) euro”, ka bërë të ditur policia.

Policia ka sekuestruar katër telefona mobil dhe dokumentacionin që dëshmon blerjen e tyre.

“Hetuesit policorë kanë kontrolluar një lokacion dhe në cilësinë e provave kanë sekuestruar: katër telefona mobil dhe dokumentacion relevant që dëshmon blerjen e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërkaq një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

“Me vendim të prokurorit, të dyshuarit B.M., viti i lindjes 1998, mashkull kosovar dhe V.H., viti i lindjes 2000, mashkull kosovar dërgohen në mbajtje prej 48 orëve, kurse i dyshuari Rr.M., viti i lindjes 2004, mashkull kosovar lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.

(Kosova Sot Online)