Berisha: Opozita dështoi në çdo nismë të marrë që nga viti 2013 e deri më sot

  • A.P /
  • 29 September 2021 - 22:15
Berisha: Opozita dështoi në çdo nismë të marrë që nga viti 2013 e deri më sot

Sali Berisha ndodhet mbrëmjen e së mërkurës në Durrës ku mbahet “Foltorja” e radhës, si pjesë e iniciativës së liderit historik të demokratëve për t’i kthyer sovranitetin Partisë Demokratike.

Qindra qytetarë janë mbledhur para pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” në qytetin bregdetar ku ish-kryeministri është pritur me brohoritje. Në fillim të fjalës së tij, Berisha listoi një sërë arsyesh se përse qeverisja e Edi Ramës, sipas tij e ka lënë vendin për tetë vite në vend numëro.

“Ky angazhimi juaj është mesazhi i shpresës që rrezaton në mbarë Durrësin, dhe shqiptarët kudo që ndodhen, të gjendur në një situatë ndër më të vështirat. Në një qeverisje që në 8 varfëroi shqiptarët në mënyrë të pandalshme.”

Sali Berisha u shpreh se në tetë vite u burgosën më shumë shqiptarë se në gjithë rajonin. 38 mijë shqiptarë u burgosën për çështje civile, shton ish-kreu i PD ndërsa shton se qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama është duke ndëshkuar Shqipërinë edhe në rrugën drejt integrimit evropian.

 

Sipas ish-kryeministrit, opozita në këto vite nuk arriti asnjëherë të organizonte aksionet dhe veprimet për t’i dalë përballë qeverisjes së Ramës.

“Dështoi në çdo nismë të marrë nga viti 2013 deri më sot. Dështoi, dhe për këtë dështim, përgjegjësia absolute i përket atij që ishte në timon e PD. Unë kam pjesën time të pamohueshme të fajit. Dhe unë jam këtu për t’u kërkuar ndjesë. Për të shpjeguar ku ishte gabimi im, dhashë dorëheqjen…”

(Kosova Sot Online)