Kosova dhe Serbia, shqetësimi i liderëve kryesorë europianë në Brdo të Sllovenisë

  • G.G /
  • 07 October 2021 - 12:15
Kosova dhe Serbia, shqetësimi i liderëve kryesorë europianë në Brdo të Sllovenisë

Liderët europianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor u takuan të mërkurën në Brdo, afër Kranjit në Slloveni, për të përafruar qëndrimet.

Problemi Kosovë-Serbi mori vëmendje edhe të disa liderëve të vendeve më të fuqishme europiane derisa zgjidhjen e tij e cilësuan si paksa komplekse. Megjithatë, një progres i vogël u lavdërua,përfshirë edhe marrëveshjen e fundit për targa.

Në prezencën e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron u takuan dy liderët ballkanikë Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq.

Pas këtij takimi, kryeministri Kurti tha se në këtë takim u fol për lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave dhe tha se e ka bërë të qartë që Kosova bëhet pjesë vetëm e atyre marrëveshjeve ku gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor trajtohen krejt të barabarta.

“Në takimin me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidentin e Serbisë ne folëm për Procesin e Berlinit, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave. Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit e fundit”, ka shkruar ai në Tëitter.

Ndërkaq, Vuçiq ka thënë se me udhëheqësit e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor se dialogu me Kosovën do të vazhdojë në Bruksel, por që tema e parë sipas tij duhet të jetë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Sigurisht, ne do të vazhdojmë dialogun, vetëm tema e parë duhet të jetë Asociacionin ashtu siç ishte shkruar në deklaratën e BE”.
Derisa Merkel pas takimit ka thënë se nuk është e lehtë zgjidhja e problemit të Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se janë bërë disa hapa të vegjël në drejtim të duhur.

Merkel theksoi se Procesi i Berlinit ka një rol kyç pozitiv, pavarësisht se jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për çdo detaj.

”Ne gjithashtu folëm për faktin se, përveç çështjeve të pranimit, Procesi i Berlinit ka një rol dhe se ky proces ka pasë me të vërtetë një efekt shumë pozitiv. Gjithashtu kur shikoni gjashtë vendet e rajonit, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, projekti më i fundit dhe më i ri është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal, jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për çdo detaj. Ne sot biseduam me Serbinë, Bosnjën dhe Kosovën për tejkalimin e çështjeve dhe problemeve të pazgjidhura. Nuk është e lehtë, e pranoj, por ne kemi bërë disa hapa të vegjël në drejtimin e duhur.

Tani, procesi i pranimit ka marrë dy dekada, kjo është vënë në dukje sot”, kishte thënë Merkel.

Gjithashtu edhe Macron është pajtuar me Merkelin se situata s’është e lehtë për të pajtuar fqinjët ballkanikë.

“Në shumë vende të BE-së situata është e ndërlikuar. Situata në mes të Kosovës dhe Serbisë, dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit duket tejet komplekse. Kaluam ca qaste me krerët e dyja vendeve bashkë me Kancelaren Merkel”.

Macron ka thënë se sa i përket Ballkanit Perëndimor duhet angazhim politik dhe vëmendje më e madhe.

Meqë samitet e tilla mbahen pa asnjë simbol shtetëror apo aludime të posteve të liderëve, Spanja këtë vit vendosi të ulet për herë të parë përballë Kosovës.

Për më tepër, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez pati një muhabet të shkurtë me kryeministrin kosovar, duke e inkurajuar që të gjejë një rrugë për të arritur marrëveshje me Serbinë, por kjo të bëhet në pajtim të plotë me ligjet ndërkombëtare, siç raportoi mediumi spanjoll “Agenzia Nova”.

Sanchez ka theksuar se nuk e kanë bojkotuar samitin BE-Ballkani Perëndimor edhe pse aty ka qenë pjesëmarrëse Kosova.

“Duhet të marrim pjesë në debat dhe ta themi opioinion tonë. Pse të abstenonim derisa aty merrnin pjesë 26 vende?”, raportohet të ketë thënë Sanchez.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, para se të niste ky takim ka thënë se Ballkani Perëndimor përket në BE dhe se bashkë me këtë rajon përbëjnë një familje europiane.

Derisa presidenti i Këshillit Europian Charles Michel ka thënë se janë gati të mobilizojnë shumë para që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëjnë reformat e kërkuara dhe për të përmirësuar qeverisjen e tyre.

(Kosova Sot Online)