Çmimet po rriten në mbarë botën

  • G.G /
  • 07 October 2021 - 14:41
Çmimet po rriten në mbarë botën

Në mbarë botën, konsumatorët po përballen me çmime më të larta për një shumëllojshmëri artikujsh të përditshëm, për shkak të problemeve në zinxhirin e furnizimit për të gjitha llojet e mallrave dhe rritjes së çmimit të energjisë, në nivele që nuk janë parë prej vitesh.

Kjo do të thotë që konsumatorët kudo po paguajnë më shumë për artikuj ushqimorë, veshje pajisje elektro-shtëpiake si dhe për blerje makinash e shtëpi, thotë VOA.

Ata që po e ndjejnë më shumë këtë situatë janë familjet me të ardhura të ulëta, të ardhurat e kufizuara të të cilëve mbulojnë më pak në raport me nevojat që ata kanë.

Pyetja që shtrohet nga shumë ekonomistë është nëse kjo rritje e çmimeve do të jetë diçka “kalimtare”, siç thonë prej disa muajsh zyrtarë të lartë amerikanë, apo është fillimi i një periudhe rritjeje më të qëndrueshme të çmimeve, në nivele më të larta sesa kanë ndeshur prej dekadash shumica e ekonomive kryesore të botës.

Në dëshminë para Kongresit javën e kaluar, Kryetari i Bankës Qendrore Amerikane Jerome Powell tha se problemet “zhgënjyese” me zinxhirin e furnizimit global që erdhën si pasojë e pandemisë, janë bërë shkak për rritjen e inflacionit. Por ai u shpreh se ishte i sigurt se përfundimisht këto çështje do të merrnin zgjidhje.

(Kosova Sot Online)