Me tenxhere dhe lugë, qytetarët: S’do ndalemi derisa të na plotësohen kërkesat

  • A.P /
  • 11 October 2021 - 20:07
Me tenxhere dhe lugë, qytetarët: S’do ndalemi derisa të na plotësohen kërkesat

Pasditen e sotme ka nisur protesta e dytë para kryeministrisë. Qytetarët sikurse herën e parë janë mbledhur për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Edhe sot protesta është thirrur nga rrjetet sociale nga aktivisti Adriatik Lapaj, i cili tha se një sukses të parë e kanë, pasi kryeministri lajmëroi se nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike për familjarët dhe bizneset e vogla.

“Kryeministri reflektoi për energjinë elektrike, por kjo nuk mjafton. Sot jemi dhe për çmimin e bukës, ushqimit të shportës, karburanteve, por edhe për të ngritur zërin për meritokraci, për drejtësi sociale dhe për të kërkuar që në këtë vend të marrë fund tranzicioni i stërzgjatur ku ndahen në dy kampe shqiptarët. Çdo qytetar që e ndjen se duhet të protestojë, le ta bëj atë. Misioni që duhet të kemi është që qytetarët të reagojnë për veten e tyre. “ tha Lapaj.

Sot i pranishëm ishte përsëri aktori i humorit Florjan Binaj që u bënte thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës.

“Kemi dalë për të ngritur zërin dhe për ata që nuk kanë mundësi, të gjithë preken, u bëj thirrje të gjithë të rinjve të marrin pjesë sa rrinë merren me klikimet në instagram. Ta bëjnë për vete, për prindërit dhe për të ardhmen”, u shpreh Binaj.

Qytetarët janë mbledhur sot duke sfiduar edhe shiun dhe duke protestuar për kërkesat e tyre.

(Kosova Sot Online)