Policia tregon në detaje çka ndodhi në veri

  • E.K /
  • 13 October 2021 - 12:56
 Policia tregon në detaje çka ndodhi në veri

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksin në rajonet e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Përderisa në rajonet tjera aksioni është zhvilluar pa probleme, në rajonin e Mitrovicës së Veriut ka pasur protesta, bllokim të rrugëve e gjuajtje me armë zjarri.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka deklaruar se grupe kriminale janë grumbulluar në mënyrë të organizuar dhe kanë bllokuar rrugët me mjete transportuese.

Po ashtu, policia ka njoftuar se protestuesit kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, kanë gjuajtur me granata dore e armë zjarri, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve policore dhe doganorë në cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.

“Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë Veri grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, ka njoftuar policia.

Policia ka deklaruar se pas veprimeve të protestuesve, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e nevojshme ligjore me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion dhe qytetarëve.

“Referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion, qytetarëve në atë zonë dhe krijimit të mundësisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë”, ka bërë të ditur policia.

Ndryshe, nga aksioni i sotëm janë arrestuar tetë persona, gjashtë prej të cilëve janë shqiptarë, një serb dhe një boshnjak.

Po ashtu, pas tensionimit të situatës, të lënduar kanë mbetur gjashtë zyrtarë policor dhe një qytetar

(Kosova Sot Online)