Komuna që drejton Shpejtim Bulliqi rrezikon investimin milionësh gjerman që do të krijonte qindra vende pune

  • A.P /
  • 14 October 2021 - 18:01
Komuna që drejton Shpejtim Bulliqi rrezikon investimin milionësh gjerman që do të krijonte qindra vende pune

Kosova rrezikon të humbasë një investim prej 55 milionë euro në Komunën e Podujevës, investim i cili parasheh punësimin e mbi 300 punëtorëve, për shkak të një “pingpongu” burokratik mes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit të Komunës së Podujevës.

Kompania gjermane “Soilcos” në bashkëpunim me kompaninë “Erdi R Products”, kanë një vit që po tentojnë të nisin punimet për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë së ripërtërishme në Komunën e Podujevës, projekt ky që parasheh punësimin e mbi 300 punëtorëve.

Kërkesa e tyre për ndërtimin e fabrikës në fshatin Mirovc të Podujevës po refuzohet në vazhdimësi nga drejtori i për Planfikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në këtë komunë, Bujar Hasani, i cili insiston se në këtë zonë sipas Planit Zhvillimor Komunal nuk lejohet ndërtimi.

Neglizhenca e Komunës së Podujevës dhe premtimi i Shpejtim Bulliqit.

Kompania gjermane fillimisht kishte aplikuar për leje ndërtimore në nëntor të vitit 2020. Pavarësisht se aplikimi përmbante të gjitha dokumentet e kërkuara, për tre muaj rresht Komuna e Podujevës nuk dha asnjë përgjegjie dhe në fund Shpejtim Bulliqi njoftoi se kërkohej një aplikim i ri, pasi të parit i kishte përfunduar afati për përgjegjie.

Në një takim të mbajtur në muajin mars të këtij viti mes kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me anëtarët e ekzekutivit Bujar Hasani, Fevzi Jetullahu dhe Ajet Potera dhe pronarit të kompanisë “Soilcos” nga Gjermania, Jurgen Stainmuler, Komuna e Podujevës kishte shprehur gatishmërinë e plotë në përkrahjen e këtij projekti në aspektin administrativ dhe në ofrimin e kushteve infrastrukturore.

“Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me anëtarët e ekzekutivit Bujar Hasani, Fevzi Jetullahu dhe Ajet Potera, priti në takim pronarin e kompanisë “Soilcos” nga Gjermania Jurgen Stainmuler dhe përfaqësuesin e kësaj kompanie në Kosovë, Bekim Zejnullahu dhe Rejona Zejnullahu – drejtoreshë e Kompanisë “Erdi R Products. Gjatë takimit të sotëm me kryetarin Bulliqi, pronari i kompanisë gjermane, Jurgen Stainmuler, gjerman shprehu gatishmërinë të investojë në komunën tonë dhe ofroi projektin për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, sipas mediave.

Me këtë rast kryetari Bulliqi shprehu gatishmërinë e plotë në përkrahjen e këtij projekti në aspektin administrativ dhe në ofrimin e kushteve infrastrukturore.

“Përveç përfitimeve në ruajtjen e ambientit dhe prodhimin e energjisë, me këtë projekt do të krijohen edhe shumë vende të reja pune për të rinjtë llapjanë”, tha atë ditë kryetari Bulliqi.

Me realizimin e këtij projekti pritet të punësohen mbi 280 punëtorë, kurse kostoja totale e projektit është 55 milionë euro.

Kryetari Bulliqi dhe investitori gjerman u pajtuan që menjëherë të fillohet me procedurat për realizimin e projektit” – thuhej në njoftimin e Komunës së Podujevës për takimin e 4 marsit.

Premtimi që nuk u mbajt nga Shpejtim Bulliqi – refuzimi i radhës nga Komuna e Podujevës

Dy muaj pas këtij takimi ku u premtua përkrahje për këtë projekt, Komuna e Podujevës refuzoi aplikimin e dytë të invesitorëve gjerman, teksa kryetari Shpejtim Bulliqi e fshiu postimin e takimit të marsit në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Megjithatë, njoftimi për takimin e 4 marsit dhe premtimi për përkrahje institucionale nga Shpejtimi Bulliqi dhe drejtori Bujar Hasani ende figuron në faqen zyrtare të Komunës.

(Kosova Sot Online)