Në shtetin afrikan turma mbyt policin që vrau një vajzë 5-vjeçare

  • G.G /
  • 15 October 2021 - 10:56
Në shtetin afrikan turma mbyt policin që vrau një vajzë 5-vjeçare

Një turmë njerëzish kanë mbytur një polic, pasi ai vrau një vajzë 5-vjeçare, kur hapi zjarr ndaj një veture në një pikë kontrolli në jugperëndim të Kamerunit të enjten, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Vdekja e vajzës nxiti protesta në Buea. Protestuesit e bartën trupin e saj deri te zyra e guvernatorit rajonal. Në qytezë pati edhe të shtëna sporadike, ndonëse nuk ishte e qartë se kush po gjuante, shkruan CNN.

Në Deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se drejtuesi i veturës fillimisht refuzoi që të ndalej në një pikë kontrolli të xhandarmërisë dhe më pas u mundua që të ikte nga oficerët, të cilët kishin arritur ta ndalnin.

“Në një reagim jo të duhur, të papërshtatshëm ndaj rrethanave dhe qartazi joproporcional ndaj sjelljes jorespektuese të drejtuesit të veturës, njëri nga xhandarët qëlloi në mënyrë paralajmëruese për ta bërë veturën të palëvizshme”, thuhet në deklaratë.

“Gjatë procesit, vogëlushja Caro Louise Ndialle, nxënëse rreth moshës 5-vjeçare, e cila ndodhej brenda veturës, u qëllua në mënyrë fatale në kokë”, thuhet më tej.

Ministria njoftoi se një turmë njerëzish më pas iu vërsulën xhandarit dhe e vranë atë, duke shtuar se kanë nisur hetimet për dy rastet e vdekjeve.

Ndryshe, luftëtarët separatistë, të zemëruar me atë që e cilësojnë margjinalizim nga shumica frëngjishtfolëse, kanë luftuar kundër trupave qeveritare në dy rajone anglishtfolëse për gati pesë vite në përpjekje për të krijuar një shtet të ri, të quajtur Ambazoni.

Mbi 3.000 njerëz janë vrarë dhe gati gjysmë milioni janë zhvendosur për shkak të dhunës. Të dyja palët akuzohen për kryerje të krimev.

(Kosova Sot Online)