Luftime të reja në Karabak, një i vrarë e gjashtë të plagosur

  • G.G /
  • 15 October 2021 - 11:07
Luftime të reja në Karabak, një i vrarë e gjashtë të plagosur

Një ushtar azer është vrarë dhe gjashtë ushtarë armenë janë plagosur gjatë luftimeve në Nagorno-Karabak të enjten.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se një ushtar i saj është vrarë nga të shtënat me snajper nga armenët, shkruan Free Europe.

Në anën tjetër, forcat etnike armene në Karabak e mohuan përgjegjësinë për vdekjen e ushtarit azer. Më vonë, këto forca raportuan se gjashtë ushtarë në një pikë në lindje të Karabakut janë plagosur nga të shtënat e ushtrisë azere.

Përmes një deklarate, forcat etnike armene gjithashtu thanë se forcat paqeruajtëse ruse që ndodhen në Karabak janë njoftuar menjëherë për shkeljen e armëpushimit, gjë që u mohua nga azerët.

Artak Beglarian, ministër në pjesën e kontrolluar nga armenët, tha se të shtënat kanë shpërthyer pas mesnatës në disa pjesë të linjës së kontaktit përreth Karabakut.

“Situata tash është stabilizuar përgjatë tërë linjës së kontaktit”, tha ai, duke shtuar se dy ushtarë të plagosur janë në gjendje serioze, por se jeta e tyre nuk është në rrezik.

Ndryshe, në nëntor të vitit të kaluar, Azerbajxhani dhe Armenia arritën marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia pas luftimeve të ashpra që lanë mbi 6.600 të vrarë.

Ministrat e Jashtëm të Armenisë e Azerbajxhanit të enjten u takuan për herë të dytë brenda më pak se një muaji për bisedime të ndërmjetësuara nga homologu i tyre rus, Sergei Lavrov.

(Kosova Sot Online)