Amerikani 84-vjeçar vret sekserin, shtëpia që bleu s’iu duk si në fotografi

  • G.G /
  • 15 October 2021 - 13:02
Amerikani 84-vjeçar vret sekserin, shtëpia që bleu s’iu duk si në fotografi

Policia në Virgjinia të Shteteve të Bashkuara ka thënë se një burrë 84-vjeçar e ka vrarë agjentin për patundshmëri vetëm një ditë pasi u vendos në shtëpinë që e bleu pa e parë vetë, por vetëm duke u mbështetur në përshkrimin e publikuar në internet.

Albert Baglione e kishte bërë pagesën në kesh për shtëpinë njëkatëshe në Portsmouth nga sekseri Soren Arn-Oelschlegel në tetor për 160.000 dollarë, duke e finalizuar marrëveshjen dhe duke u vendosur në objekt pa e shikuar shtëpinë vetë para se ta blinte.

Qartazi i pakënaqur me gjendjen e shtëpisë, raportohet se i moshuari e telefoni sekserin për të biseduar rreth kësaj teme. “Ai tha se shtëpia nuk dukej njëjtë si në fotografi”, tha Shane, fqinj i banorit të ri. “Ai i tha të birit se është i pakënaqur dhe se do të flasë për këtë me sekserin”, shtoi Shane.

Dukej se agjenti i shitjes së patundshmërive nuk ishte i vetëdijshëm për pakënaqësinë e klientit dhe në faqen e tij në Facebook shkroi: “Urime blerësit tim të ri! Jam shumë i lumtur që arrita t’i gjejë një shtëpi që ia plotëson nevojat.”

Më 8 tetor, policia pranoi një telefonatë për të shkuar te prona e blerë dhe u prit nga vetë pronari. “E vrava sekserin tim”, u tha policëve i moshuari. Policia tha se gjatë këtij takimi, Baglione kishte armë në dorë, shkruan Independent.

“Pas deklarimit të tij, e mbylli derën dhe policia dëgjoi një të shtënë. Policët e pritën arritjen e njësisë speciale dhe pas hyrjes në ndërtesë, oficerët panë që Baglione ia kishte marrë jetën vetes”, thuhet në deklaratën e policisë.

(Kosova Sot Online)