Dyshime të mëdha për 'tren bullgar' në Skenderaj, tetë fletëvotime të pavulosura

  • E.K /
  • 22 October 2021 - 10:34
Dyshime të mëdha për 'tren bullgar' në Skenderaj, tetë fletëvotime të pavulosura

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konstatuar se tetë fletëvotime kanë qenë të pavulosura në kutinë e votimit për kryetar të Komunës së Skenderajt.

Ankesat janë të parashtruar nga subjekti i Bekim Jasharit, i cili kishte ngritur dyshimet për parregullsi dhe vjedhje të votave të sistemit të “trenit bullgar” gjatë procesit zgjedhor më 17 tetor në Skenderaj.

Tri fletë votime të pavulosura janë hasur në kutinë e votimit në vendvotimin me numër 2104b/02D. Një fletëvotim i pavulosura është konstatuar në vendvotimin me numër 2103b/01R. Një tjetër fletëvotim i pavulosur është gjetur në vendvotimin 2101X/05R, një fletëvotim i pavulosur është konstatuar në vendvotimin 2126B/01D, dhe dy fletëvotime tjera të pavulosura janë gjetur në vendvotimin me 2108B/02D.

Si pasojë e kësaj, PZAP ua ka ndaluar disa komisionerëve pjesëmarrjen në zgjedhje, si kandidat apo pjesë administrative e ndonjë organi zgjedhor për pesë vjet. Komisionerët janë: Gazmend Xhemaili, Milazim Veseli, Enkela Koci, Altin Shabani dhe Hafiz Jashari.

PZAP i ka hedhur poshtë të gjitha kërkesat e subjektit të Bekim Jasharit për përsëritje të votimit, me arsyetimin se “nuk ka bazë të mjaftueshme dhe me peshë në rezultat”.

Përderisa një ankesë me pretendimet se ka pasur tri fletëvotime të pavulosura në kutinë e votimit është hedhur poshtë.

“Nga rezultatet e hetimit të bërë nga ana e PZAP, lidhur me vendvotimin e cekur në ankesë, rezulton fakti se i njëjti vendvotim nuk gjendet në Komunën e Skenderajt, por gjendet në Komunën e Mitrovicës Jugore”, thuhet në arsyetimin e PZAP-së.

Ankesa tjetër e refuzuar është me pretendimet se gjatë procesit të votimit në fshatin Runik, janë shënuar dy raste të fotografimit të votës dhe se të dyshuarit janë arrestuar nga Policia.

PZAP ka konstatuar se ankesa është e pabazuar për faktin se nuk është vërtetuar se ka pasur tentimit të fotografimit të votës dhe rrjedhimisht, sipas tyre, nuk ka pasur as inicim të ndonjë vepre penale.

Po ashtu PZAP ka hedhur poshtë pretendimet e subjektit të Bekim Jasharit se në shkollën “Kuvendi i Drenicës” në Abri të Poshtme kanë hyrë dy persona të paautorizuar pesë minuta pas mbylljes së votimit.

PZAP e ka hedhur poshtë në mungesë të prova dhe si të pabazuar sepse siç thonë ata, pretendimet ishin në kundërshtim me deklaratat e kryesuesit të vendvotimit dhe të  drejtoreshës së shkollës “të cilët në mënyrë kategorike mohuan se kanë pasur parregullsi”.

Kundër këtyre vendimeve është e lejuar ankesa në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve nga momenti i marrjes-pranimit të vendimit.

“Treni bullgar” nënkupton kur votuesit jashtë qendrës së votimit marrin një fletëvotim të plotësuar, të cilin e fusin në kutinë e votimit. Ndërsa fletëvotimin të cilin e marrin në mënyrë të rregullt e nxjerrin jashtë qendrës së votimit. I njëjti fletëvotim plotësohet dhe përdorët nga një votues tjetër.

Të gjitha vendimet e PZAP-it mund t’i lexoni në këtë LINK

Bekim Jashari nga lista e pavarur “Ideal për Skenderaj” ka marrë 40,64 për qind të votave kurse kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Fadil Nura, mori 57,99 për qind.

(Kosova Sot Online)