Kryeministri Kurti priti ministrin e Arsimit të Turqisë, Mahmut Özer

  • A.P /
  • 22 October 2021 - 17:20
Kryeministri Kurti priti ministrin e Arsimit të Turqisë, Mahmut Özer

Bashkëpunimi në arsim dhe aftësim profesional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë ishin tema e takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Ministrin e Arsimit Kombëtar të Republikës së Turqisë, Mahmut Özer.

Në takimin e përbashkët me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, u bisedua për planet e përbashkëta që pritet të konkretizohen me një marrëveshje të bashkëpunimit mes dy shteteve me fokus në fushën e teknologjisë së informacionit, zhvillimit profesional të mësimdhënësve, arsimit të lartë, si dhe programet e shkëmbimit të studentëve e profesorëve.

Kryeministri Kurti falënderoi ministrin Özer për përkrahjen e dhënë nga shteti turk për Kosovën, e veçanërisht mbështetjen në projekte të arsimit, si burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës.

Ai vuri theksin te objektivi i Qeverisë për të bërë ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe për synimin për të kthyer vëmendjen e punës kah dija dhe arsimi, kah hulumtimi e inovacioni.

Kryeministri potencoi zotimin e Qeverisë për mundësi të barabarta dhe gjithëpërfshirje në arsim për fëmijët nga grupet e margjinalizuara, drejt zvogëlimit të hendekut në arritjet arsimore të komuniteteve dhe personave me nevoja të veçanta.

Ministri Özer theksoi gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për arsimin në Kosovë në çfarëdo forme të nevojshme.

Duke shprehur kënaqësinë që vizita e parë e tij si ministër jashtë vendit po realizohet në Kosovë, ai u shpreh i lumtur me stabilitetin dhe prosperitetin në Kosovë, si dhe bashkëjetesën mes komuniteteve, që përfshinë edhe qytetarët turq.

(Kosova Sot Online)