Zvogëlohet rreziku nga kërcënimi në “shes-blej”, forcat e shtuara policore largohen nga shtëpia ku banon Kurti

  • E.K /
  • 28 October 2021 - 11:42
Zvogëlohet rreziku nga kërcënimi në “shes-blej”, forcat e shtuara policore largohen nga shtëpia ku banon Kurti

Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë për media, pas intervenimit të mbrëmshëm për kërcënimin që ka marrë kryeministri Albin Kurti. PK konfirmon se Njësia e Reagimit të Shpejtë është larguar nga shtëpia ku banon Kurti.

Policia njofton se lidhur me rastin janë iniciuar hetimet dhe ato janë duke vazhduar, përderisa bazuar në hetimet e deritanishme dhe vlerësimin e rrezikut, policia konfirmon se njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga lokacioni.

Njoftimi i plotë i policisë:

Policia e Kosovës, pas pranimit të informacioneve lidhur me kërcënimin ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme operativo hetimore.

Fillimisht Policia e Kosovës, ka shtuar masat e sigurisë personale të Kryeministrit përfshirë këtu mbrojtjen e afërt, por gjithashtu edhe ka dërguar njësi të reagimit të shpejtë nga Regjioni i Prishtinës të përberë nga dy zyrtarë policorë, në sigurim te shtëpia e banimit të Kryeministrit. Policia e Kosovës konfirmon se në këtë aktivitet nuk ka pasur të angazhuar asnjë zyrtarë të njësive speciale.  

Lidhur me rastin menjëherë janë iniciuar hetimet dhe ato janë duke vazhduar, përderisa bazuar në hetimet e deritanishme dhe vlerësimin e rrezikut, njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga lokacioni.

Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin drejt ofrimit të sigurisë ndaj personaliteteve të vendit dhe qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe hetimin dhe trajtimin e të gjitha rasteve.

Në media u raportua se Kurti mori kërcënim në rrjetin social Facebook, konkretisht në grupin “Shes blej gjithçka”.

35 mijë euro “ishte në gjendje t’i ofronte” për “kokën” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

(Kosova Sot Online)