Specialen gati ta braktis edhe shefi i hetimeve në Prokurori, ai aplikon për një punë tjetër (Dokument)

  • E.K /
  • 06 November 2021 - 14:07
Specialen gati ta braktis edhe shefi i hetimeve në Prokurori, ai aplikon për një punë tjetër (Dokument)

David Harbach, prokuror i Speciales u njoftua dje se ka lënë punën në këtë institucion. Brenda një kohe të shkurtër, Specialen mund ta lë edhe një prokuror tjetër që është futur në listën e ngushtë për të fituar pozitën e zv/prokurorit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Alex Whiting, aktualisht prokuror në Dhomat e Specializuara të Hagës, ka shumë gjasë që ta braktis këtë institucion. Prokurori francez është futur në listën e ngushtë me dy kundër-kandidatë të tjerë për ta fituar pozitën e zv/prokurorit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale

Nga 177 aplikime, janë përzgjedhur gjashtë prej tyre për dy pozitat e zv/prokurorit që aktualisht janë të lira. Whiting është listuar në grupin B dhe ka gjasë të madhe që ta lë Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Whiting aktualisht është zëvendës prokuror i Dhomës së Specializuar të Kosovës në Hagë. Ai ka punuar si prokuror i lartë në GJNP dhe TPNJ dhe ka një përvojë në prokurori ndërkombëtare. Trupi gjykues e vlerësoi z. Whiting si shumë të përshtatshëm për një nga postet e zëvendësprokurorit. Z. Ëhiting paraqiti një profil jashtëzakonisht të aftë dhe i ofroi panelit përgjigje të menduara, të matura dhe të detajuara për secilën pyetje. Përvoja, kompetenca dhe aftësitë e tij të pasura ishin të dukshme në të gjitha fushat e vlerësimit”, thuhet në dokumentin të cilin e ka parë lajmi.net, të lëshuar nga Gjykata.

Whiting madje ka pozitën edhe të shefit të hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Njoftimin për emërimin e tij e kishte bërë vet Specialja më 13 qershor të 2019-tës.

Nëse, Whiting përzgjidhet në këtë pozitë, atëherë brenda një kohe të shkurtër do të jetë prokurori i dytë që lë Gjykatën Speciale.

Kjo pasi që prokurori tjetër i Dhomave të Specializuaram, David Harbach ka braktisur punën e tij në këtë institucion për të filluar punë firmën e avokatisë O’Melveny në Uashington D.C.

E mbetet të shihet nëse largime të tilla do të ndikojnë në zhagitjen e proceseve gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke pasur parasysh transferimin e lëndëve si dhe hetimet e kryera nga një prokuror tjetër.

Edhe ashtu Zyra e Prokurorit të Specializuar ka marrë kritika të ashpra për vonesa nga avokatët ndërkombëtar të krerëve të UÇK-së në thuajse të gjitha seancat e mbajtura deri tash.

(Kosova Sot Online)