Haxhiu i quan montazh bisedat e publikura në lidhje pretendimet për inskenimin e rastit të Bislim Bislimaj

  • A.P /
  • 08 November 2021 - 17:54
Haxhiu i quan montazh bisedat e publikura në lidhje pretendimet për inskenimin e rastit të Bislim Bislimaj

Jakup Haxhiu, shef i kabinetit të kryetarit të Vitisë, Sokol Haliti, është akuzuar nga zyrtari i Vetëvendosjes në këtë komunë, Bislim Bislimaj se i ka montuar rastin e ngacmimit seksual të një të miture. Për këtë, në rrjetin social Facebook kanë qarkulluar edhe disa foto të një bisede në Viber që është pretenduar se është realizuar mes Haxhiut e Arben Jakupit.

Për këto foto, është deklaruar Jakup Haxhiu.

Ai ka thënë se biseda e publikuar është montazh e realizuar nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, një njeri normal nuk i dërgon askujt fotografi të tija personale.

“Kanë fyer shumë integritetin tim moral, personal. Janë skandale të shpikura nga vetëvendosje sepse shihet qartë se janë montazha. Një njeri normal nuk mund t’i dërgoj dikujt 16 fotografi të veta personale. Ajo shihet qartë montazh që është bë që është  nga viberi im, jo nga personi tjetër kontaktues dhe bashkëkontaktues në këtë rast, shoki im Arben Jakupi i paraqitur në viber si Arbeni Kabash, dmth që nuk përputhet fare me emrin që e kam të shënuar në viber, Arben Jakupi“, ka deklaruar ai.

Haxhiu ka thënë se as foto e profilit të Arben Jakupit në bisedat e publikuara nuk përputhet me atë që ky i fundit ka aktualisht.

“Edhe foto e profilit të tij nuk përputhet fare me foton që e ka aktualisht ai. Mund ta telefononi atë dhe ta pyesni, ai e ka foto fotografinë e vajzës së tij të vogël. Nuk ka mujt me ndryshu këtë foto, mund të kontaktoni edhe qytetarët tjerë, kush ka kontaktu me Arben Jakupin, a është qajo foto e viberit. Dmth është e inskenume aq mjeshtërisht nga Lëvizja Vetëvendosje në Viti. Nuk është normale se ata kanë tentuar t’i prekin pikat kryesore, me i irritu njerëzit, bashkëfshatarët e mi, pjesën katolike, komunitetin katolik që ne jemi rritur me ta dhe jetojmë me ta“, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë çështje kanë involvuar edhe anëtarë tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kujtojmë zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Bislim Bislimaj ka drejtuar gishtin ndaj kryetarit të Vitisë, Sokol Halitit e Jakup Haxhiut për akuzat e bëra ndaj tij për dhunimin e një të miture.

Ndërsa, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka thënë dje se zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Bislim Bislimaj i është ndërprerë ndalimi 48 orësh.

Sipas Prokurorisë, ekzaminimi gjinekologjik i të miturës ka konstatuar se ajo s’ka qenë e keqtrajtuar seksualisht nga Bislimaj. Rrjedhimisht, Prokuroria thotë se nuk ka pasur më dyshim të arsyeshëm se zyrtari i LVV-së e ka kryer këtë vepër penale.

(Kosova Sot Online)