Treni u vonua një minutë, drejtuesi padit kompaninë për ndaljen e 42 centëve

  • E.K /
  • 10 November 2021 - 15:24
Treni u vonua një minutë, drejtuesi padit kompaninë për ndaljen e 42 centëve

Një drejtues i trenit në Japoni e ka paditur punëdhënësin, pasi iu ndalën 56 jenë ose rreth 42 centë në pagë për shkaktimin e një vonese njëminutëshe në sistemin hekurudhor të njohur për saktësinë në kohë.

Kompania e trenave “JR Ëest” e ndëshkoi drejtuesin, pasi një ngatërrim i punëve në qershor të vitit të kaluar kishte shkaktuar një minutë vonesë në operim. Kompania pretendoi se gjatë kësaj kohe nuk është kryer asnjë punë, shkruan BBC.

Punëtori tani po kërkon 2.2 milionë jenë ose rreth 16.800 euro dëmshpërblim për ankthin që i është shkaktuar në këtë rast.

Kompania fillimisht ia kishte ndalur punëtorit 85 jenë ose 65 centë, por më vonë u pajtua që ta ulte shumën në 42 centë, pasi drejtuesi i trenit e kishte dërguar rastin në Zyrën Inspektuese të Standardeve të Punës në Okayama.

Megjithatë, punëtori e refuzoi edhe ndaljen e shumë së dytë dhe ka pretenduar se vonesa nuk ka shkaktuar pengesë të vërtetë ndaj orarit ose pasagjerëve, sepse treni ka qenë bosh gjatë incidentit.

Por kompania thotë se e ka zbatuar parimin “s’ka punë, s’ka pagesë”, siç do të vepronte në rastet kur punëtori arrin me vonesë ose kur mungon në punë në mënyrë të pashpjegueshme.

Drejtuesi i trenit e dërgoi rastin në Gjykatën e Distriktit në Okayama në mars, ku tani po kërkon dëmshpërblim.

Ndryshe, sistemi hekurudhor i Japonisë njihet për saktësinë e tij. Në vitin 2017, një kompani e hekurudhave kishte kërkuar falje, pasi njëri nga trenat e saj ishte nisur nga një stacion 20 sekonda para kohës së caktuar.

(Kosova Sot Online)