Arrestohet në spital shoferi që shkaktoi aksidentin ku mbetën të vdekur dy persona

  • G.G /
  • 11 November 2021 - 13:59
Arrestohet në spital shoferi që shkaktoi aksidentin ku mbetën të vdekur dy persona

Emirjan Doko, drejtuesi i automjetit tip “Citroen” që shkaktoi aksidentin me dy viktima, në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë, i është komunikuar në spital masa e arrestit.

Doko ndodhet në gjendje të rëndë për jetën si pasojë e plagëve të marra nga përplasja e fortë, ku viktimë mbeten polici Luan Cenollari që punonte si taksist gjatë natës dhe pasagjeri i tij Ali Bajo, 69-vjeç. Gjatë kontrollit në automjet policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë ndërsa gjatë kontrollit fizik i është gjetur edhe një thikë.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në përfundim të veprimeve për aksidentin e ndodhur mëngjesin e sotëm, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. D., 30 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugore’’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ky shtetas, më datë 11.11.2021, rreth orës 03:20, në kryqëzimin “21 Dhjetori”, duke drejtuar mjetin “Citroen” është përfshirë në një aksident me mjetin “Honda” me drejtues shtetasin L. C., 58 vjeç. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje pasagjeri në mjetin “Honda”, shtetasi A. B., 59 vjeç, ndërsa drejtuesi, shtetasi L. C. ka ndërruar jetë në spital. Drejtuesi i mjetit “Citroen”, shtetasi E. D., ndodhet në spital, në gjendje të rëndë. 

Gjatë kontrollit të mjetit që drejtonte shtetasi E. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pushkë, ndërsa gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi iu një armë e ftohtë (thikë)”, thuhet  në njoftimin e policisë. 

(Kosova Sot Online)