Merkeli ka një porosi për personat e pavaksinuar

  • G.G /
  • 12 November 2021 - 09:23
Merkeli ka një porosi për personat e pavaksinuar

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, tha të enjten se personat që ende nuk janë vaksinuar, në kohën e përhapjes së valës së katërt të infeksioneve në këtë vend, duhet të kuptojnë që kanë një detyrë para pjesës tjetër të shoqërisë për t’i mbrojtur të tjerët.

Duke folur në një samit për biznes, e ftuar nga Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, Merkel tha se është detyrë e politikanëve që t’i krijojnë mundësitë për ndërhyrje serioze duke qenë të sinqertë me publikun, shkruan Reuters.

“Duhet ta bëjmë të qartë se unë e kam të drejtën për t’u vaksinuar dhe ky është fat i madh, arritje e madhe e shkencës dhe teknologjisë, por unë gjithashtu kam një obligim të qartë për të kontribuuar në mbrojtjen e shoqërisë”, tha kancelarja në largim.

Merkeli, e cila po intervistohej nga presidenti i kompanisë “Microsoft”, Brad Smith, shtoi se sfidat e pandemisë dhe të ndryshimeve klimatike janë të ngjashme, sepse ato të dyja janë procese eksponenciale, ashpërsia e të cilave është vështirë të njihet në fillimin e rritjes.

“Kur e shihni fillimin e një rritjeje eksponenciale, filloni të veproni menjëherë dhe të kuptuarit e rritjes eksponenciale nuk është i përhapur shumë në shoqëritë tona”, shtoi kancelarja gjermane.

“Kjo është arsyeja pse ne gjithashtu kemi qenë aq të pashqetësuar për ndryshimet klimatike, që gjithashtu kanë rritje eksponenciale dhe ne duhet të veprojmë me kohë, kur nuk është aspak e dukshme se si do të rriten numrat”, tha Merkel.

(Kosova Sot Online)