Opozita fiton zgjedhjet lokale në Kosovë, LDK fiton Prishtinën, PDK Prizrenin, LVV me vetëm 4 komuna

  • A.P /
  • 14 November 2021 - 22:59
Opozita fiton zgjedhjet lokale në Kosovë, LDK fiton Prishtinën, PDK Prizrenin, LVV me vetëm 4 komuna

Opozita ka fituar në shumicën e komunave të Kosovës. Në kryeqytet, arkitekti Përparim Rama erdhi nga Londra për ta zhvlerësuar kartën e rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitinë, për të cilin partia e kryeministrit Albin Kurti, dhe vetë ai, ishin të bindur se do të fitonte qysh më 17 tetor, bile pa bërë shumë fushatë.

Partitë shqiptare që i bëjnë opozitë LVV-së kanë fituar në 23 komuna. LVV-ja, që udhëheq me Qeverinë pasi kishte marrë besimin e mbi 50% të votuesve në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të shkurtit, ka dështuar në zgjedhjet lokale, duke arritur të fitojë në vetëm 4 komuna.

Kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk po i pritej për ditën e sotme kur në 21 komuna u zhvillua gara e balotazhit për kryetar. Më 18 tetor, partia e tij nuk fitoi në asnjë komunë, por Kurti insistonte t’i bindte qytetarët se LVV-ja kishte fituar.

Pasi të nesërmen kishte dalë në një konferencë për media ku thoshte se “ne kemi synuar e dëshiruar më shumë”, Kurti kishte vazhduar të tregonte në Facebook se si LVV-ja, sipas tij, ishte e para edhe në zgjedhje lokale. Ai shkroi se LVV-ja ka arritur të jetë partia e parë në vend, si në zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe në ato lokale.

“Në zgjedhjet lokale: 3 nëntor 2013 – LVV e katërta në nivel vendi; 22 tetor 2017 – LVV e treta; 17 tetor 2021 – LVV e para”, shkruante Kurti.

Pothuajse secila parti opozitare veç e veç, ka fituar më shumë komuna sesa LVV-ja.

PDK-ja është partia që ka fituar në 9 komuna, duke ia marrë LVV-së Mitrovicën e Prizrenit. PDK-ja ka fituar po ashtu në Drenas, Kaçanik, Vushtrri, Dragash, Mitrovicë, Skënderaj, Han të Elezit e Ferizaj. Në katër prej këtyre komunave, ka fituar që në rundin e parë të zgjedhjeve lokale, duke e shmangul balotazhin.

LDK-ja, ndërkaq,me Përparim Ramën e ka fituar garën më të rëndësishme komunale, atë të kryeqytetit, duke e mposhtur Arben Vitinë e LVV-së, i cili cilësohej si favorit absolut para 17 tetorit. Pas rezultatit më të dobët në historinë e partisë në zgjedhjet parlamentare, LDK-ja arriti të fitojë edhe në Fushë Kosovë, Istog, Viti, Junik, Pejë e Lipjan. Në këto dy të fundit, pa balotazh.

Edhe AAK-ja ka fituar më shumë komuna sesa LVV-ja. Partia e Ramush Haradinajt fitoi pa balotazh në Suharekë e Deçan, ndërsa sot arriti fitore edhe në Gjakovë, Klinë e Rahovec.

LVV-ja është vetëm para Nismës Socialdemokrate, e cila ka fituar në Malishevë.

Në Obiliq, Xhafer Gashi me Iniciativaën Qytetare arriti ta fitojë edhe një mandat.

Nga partitë joshqiptare, Lista Serbe ka fituar në 10 komunat me shumicë serbe, ndërsa partia turke, KDTP, ka fituar në Komunën e Mamushës.


(Kosova Sot Online)