
Kameramani kosovar flet nga Bullgaria për aksidentin tragjik, tregon dyshimet e para

Kameramani nga Kosova, Sylejman Kllokoqi, sot ka vizituar vendin e ngjarjes tragjike ku ndodhi aksidenti i autobusit në Bullgari, e ku si pasojë humbën jetën 45 persona.
Ai ka thënë se ka arritur në vendin e ngjarjes rreth orës 11:00, por se policia nuk ka lejuar as gazetarët të afrohen shumë afër vendit të ngjarjes.
“Rreth një kilometër larg na është dashur të marrim pamje, pasi policia nuk ka lejuar të afrohemi. Siç dukej aty është autostradë në një vend malor, rrugë e madhe dhe e gjerë. Kur kemi arritur ne autobusi ka qenë komplet i djegur, ndërsa afër tij ka pasur 10 deri në 15 ekspertë apo ‘mantilbardhë’ që kanë qenë në vendin e ngjarjes. Aty ka pasur edhe ndihmë të shpejtë, policë e zjarrfikës që merreshin me rastin”, ka thënë Kllokoqi.
Ai ka bërë të ditur se nga vend ii ngjarjes ka udhëtuar për në Sofje të Bullgarisë, ku në spital ka pasur numër të vogël të familjarëve të të lënduarve që kanë kërkuar informacione rreth gjendjes shëndetësore të pacientëve.
Në fund, Kllokoqi ka thënë se sipas thashethemeve në vendin e ngjarjes është dyshuar që autobusit fillimisht i ka plasur goma e djathtë në pjesën e përparme.
“Megjithatë është mirë të presim informacionet zyrtare”, ka përfunduar ai.
(Kosova Sot Online)