Çka u diskutua në takimin e Osmanit me Lajçak

  • A.P /
  • 25 nëntor 2021 - 19:53
Çka u diskutua në takimin e Osmanit me Lajçak

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak me të cilin diskutuan zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, si dhe zhvillimet e fundit në rajon.

Sipas komunikatës së ZPRK-së, Presidentja Osmani ka theksuar se suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin.

“Ajo konfirmoi edhe njëherë se Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialog. Në veçanti, ajo theksoi nevojën për përçim të qartë të mesazhit se epilogu i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë”.

Në takim, Presidentja theksoi po ashtu urgjencën e adresimit të tendencave destabilizuese në rajon, duke potencuar se zhvillimet e fundit në rajon nuk mund të shihen vetëm nga prizmi i çështjeve të Ballkanit Perendimor, por si një kundërvënie e drejtpërdrejt ndaj vlerave, të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian dhe shoqëritë demokratike.

Tutje në komunikatë thuhet se Lajçak ka vënë theks tek nevoja për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ai theksoi se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut, gjersa potencoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë BE-në”.

(Kosova Sot Online)