Ja pse diaspora po shndërrohet në faktor vendimtar të politikës kosovare

Ja pse diaspora po shndërrohet në faktor vendimtar të politikës kosovare
Ja pse diaspora po shndërrohet në faktor vendimtar të politikës kosovare

Qani Shabani

  • 26 June 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Arritja e LVV-së në 53 mandate nuk e ndryshon rrënjësisht matematikën e formimit të qeverisë, pasi pragu prej 61 deputetësh mbetet ende larg. Në aspektin formal, nevoja për partnerë politikë ose për mbështetje parlamentare vazhdon të jetë e domosdoshme. Megjithatë, në politikë rëndësi nuk kanë vetëm numrat, por edhe mesazhi që ata prodhojnë.

 

 

-Mandati i 53-të e forcon pozitën negociuese të LVV-së dhe krijon perceptimin e një force politike që vazhdon të dominojë skenën politike, pavarësisht sfidave të mandatit qeverisës. Kjo i jep asaj legjitimitet më të madh politik për të pretenduar udhëheqjen e proceseve institucionale. Prandaj, nuk kemi të bëjmë vetëm me një fitore simbolike, por as me një ndryshim vendimtar të ekuacionit qeverisës. Është një fitore që rrit peshën politike të LVV-së, por jo aq sa të eliminojë nevojën për kompromis dhe bashkëpunim me aktorë të tjerë.

Ky mandat ka rëndësi shumë më të madhe politike sesa numerike. Në praktikë, një deputet nuk ndryshon raportet themelore në Kuvend, por mund të ndikojë ndjeshëm në perceptimin publik.

Mandati i humbur nga LDK-ja mund të interpretohet si një frenim i procesit të rikuperimit të saj politik dhe si dëshmi se ende nuk ka arritur të kthehet në nivelin e ndikimit që kishte dikur. Nëse mandatin e humb PDK-ja, atëherë dobësohet narrativa e saj si alternativa kryesore e pushtetit dhe si partia që po udhëheq opozitën.

Prandaj, ky mandat është njëkohësisht çështje prestigji, fuqi negociuese dhe tregues i trendeve elektorale. Në politikë, diferencat e vogla shpesh shndërrohen në argumente të mëdha për të ndërtuar perceptimin e fituesit dhe humbësit. Pikërisht për këtë arsye gara mes PDK-së dhe LDK-së po ndiqet me kaq interes.

Diaspora po shndërrohet në faktor vendimtar të politikës kosovare

Zgjedhjet e fundit po tregojnë se diaspora nuk është më faktor plotësues, por faktor përcaktues i rezultatit zgjedhor. Kur votat me postë arrijnë të lëvizin mandate parlamentare dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në raportet ndërmjet partive, atëherë kemi hyrë në një fazë të re të demokracisë kosovare.

Kjo nënkupton se partitë politike do të duhet ta trajtojnë diasporën jo vetëm si rezervuar votash, por si një elektorat strategjik me ndikim real në pushtet. Në të ardhmen, politikat për mërgatën, përfaqësimi institucional, investimet e diasporës dhe lidhjet ekonomike me vendin pritet të zënë një vend shumë më të rëndësishëm në programet politike.

Në plan afatgjatë, pesha në rritje e diasporës mund të ndryshojë edhe vetë mënyrën se si zhvillohen fushatat zgjedhore. Kjo do të thotë se beteja për pushtet nuk do të zhvillohet vetëm brenda territorit të Kosovës, por edhe në qendrat kryesore të diasporës në Evropë dhe Amerikë. Në këtë kuptim, vota e diasporës po shndërrohet në një nga elementet më të rëndësishme të ekuilibrit politik në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".