
Lexoni edhe:
Kosova sot nuk rrezikon nga mungesa e votave por nga mungesa e kompromisit politik
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Keir Starmer ishte kryeministri i gjashtë që nga referendumi i Brexit-it, i cili, pas dy vitesh qeverisjeje, të hënën në mëngjes dha dorëheqje të parakohshme nga pozita e kryeministrit dhe ajo e kryetarit të partisë, vetëm pse disa nga miqtë e bashkëpunëtorët e tij kishin mendimin se ai nuk ishte më kandidati më i mirë që duhej t’i printe partisë në zgjedhjet e ardhshme, pa ia kërkuar këtë asnjë grup i organizuar qytetarësh, ndërsa Edvin Kristaq Rama është "fortifikuar" në strofullën e kryeministrisë dhe tash e gati një muaj injoron në mënyrën më të paturpshme kërkesën për dorëheqje të qindra mijëra, apo edhe miliona shqiptarëve, duke e lënë vendin në trazira, pa e ditur se, nëse ai nuk jep dorëheqjen, çfarë do të ndodhë me Shqipërinë, por edhe çfarë e pret atë vetë në të ardhmen.
Kosova sot nuk rrezikon nga mungesa e votave por nga mungesa e kompromisit politik
Lexoni edhe:
-Në Shqipëri, Edvin Kristaq Rama dhe grupi i tij mafioz kanë kohë që marrin vendime apriori dhe brenda natës për projekte gjigante, të cilat prekin edhe pjesët e mbrojtura me ligj të vendit dhe bukuritë e veçanta të natyrës shqiptare, ndaj populli shqiptar duket se u ngop me paudhësitë e tij dhe shpërtheu kjo protestë kaq gjigante, e cila po vijon me përmasa edhe më të mëdha dhe ka paralajmërime se mund të kalohet edhe në masa më radikale, nëse Rama nuk jep dorëheqjen.
Derisa në Shqipëri ligjin e bëjnë mafia, të korruptuarit dhe rrjeti i grupeve të krimit të organizuar, duke ndryshuar arbitrarisht ligjet pa u pyetur shqiptarët fare, pa asnjë konsultim paraprak publik dhe pa sqaruar as çështjet elementare të pronësisë, mobilizimi i jashtëzakonshëm qytetar për të 25-tën ditë me radhë po vazhdon, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj deklarojnë me vendosmëri se protesta do të vijojë pandërprerë deri në realizimin e plotë të kërkesës së tyre të panegociueshme për dorëheqjen e pakushtëzuar të Edvin Kristaq Ramës nga posti i kryeministrit e, pse jo, edhe nga kryesimi i partisë, për ardhjen e kuadrove të rinj në krye të saj dhe futjen e frymës së demokracisë bashkëkohore në partinë e ngulfatur nga neokomunistët si Rama etj.
Madje, për t’i anashkaluar të gjitha rregullat ligjore dhe për të shitur e përdhosur çdo gjë të bukur, përfshi edhe zonat e mbrojtura në Shqipëri, Edi Rama & Co formuan një të ashtuquajtur "Këshill Kombëtar të Territorit", pas formimit të të cilit vendimet për ndërtime nuk merren më në mënyrë ligjore, as të bazuara në planet e hartuara nga ekspertët për menaxhimin e territorit, por çdo vendim sillet i gatshëm nga organi politik i Edi Ramës, i ashtuquajturi KKT.
Para këtij organi nuk ekzistojnë më vija të kuqe dhe ai i hap rrugën pothuajse çdo investimi mafioz, përfshi zonat e mbrojtura dhe vetë parqet kombëtare, akt i trishtë që lejon realizimin e kundërligjshëm të pretendimeve të mafies dhe plotësimin e orekseve të strukturave të krimit të organizuar në vend, i cili, përveç nxitjes së protestave më të mëdha që njeh Shqipëria kohëve të fundit, edhe nga vetë BE-ja u konsiderua pengesë për inkuadrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kështu që, duke njohur gjendjen e papranueshme politike që ka vendosur kryenarkomafiozi Edvin Kristaq Rama tash e sa kohë, ishte plotësisht e pritshme dhe deri në fund e arsyeshme që një ditë të shpërthente një protestë e madhe dhe e pafund si kjo që po zhvillohet aktualisht në Shqipëri, e cila tash e gati një muaj, përveç zhvillimit të pareshtur, sa vjen e zgjerohet dhe avancon çdo ditë e më tepër në të gjitha pjesët e vendit dhe në diasporën shqiptare.
Ndërsa ajo që e bën protestën e të rinjve shqiptarë shumë interesante dhe gjithnjë e më madhështore për largimin e qeverisë Rama dhe mundësimin e ndryshimeve politike në Shqipëri është fakti se ka paralajmërime për distancimin e kuadrove të PS-së nga Edi Rama dhe me protestën e shqiptarëve në Shqipëri po solidarizohen edhe figura të njohura diplomatike nga faktori ndërkombëtar, siç ndodhi më 24 qershor 2026, kur protestuesve në Tiranë iu bashkua edhe z. Robert Wilton, ish-zëvendësambasador i OSBE-së në Shqipëri.
Prandaj kjo është shenja më serioze e një pakënaqësie shumë të madhe popullore dhe fakti real i një revolucioni mbarëkombëtar për spastrimin përfundimtar të Shqipërisë nga korrupsioni galopant e krimi i organizuar, si dhe ndarjen përfundimtare të shqiptarëve nga narkomafia dhe sundimi i rrjeteve të krimit të organizuar, që Edvin Kristaq Rama i ka rrënjosur në gjithë vendin dhe kanë gllabëruar çdo pore të jetës në mbarë Shqipërinë.
Ditëve të fundit, Edvin Zeza ka filluar të ironizojë edhe me anëtarët e pabindur të vetë PS-së, si zonja Spiropali, duke i quajtur me nënçmim e fyerje si “disa shpirtra të humbur brenda partisë, që kërkojnë një Shqipëri të re”, por zonja Spiropali, si një femër e fortë dhe sypatrembur që është, e tregoi veten sërish duke iu përgjigjur drejtpërdrejt e flakë për flakë Edvin Ramës dhe duke ritheksuar publikisht nevojën që vetë Partia Socialiste ka për reformim urgjent.
Pas reformimit ne do të bëjmë edhe “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”, marrëveshje pa ty dhe për Shqipërinë që duam, u shpreh Spiropali, një Shqipëri më të hapur, më të drejtë, më meritokratike dhe më evropiane. Për arritjen e këtij objektivi, me punë e jo me fjalë, sepse për ndryshimin e vendit kërkohet ndryshimi i vetes, ndaj pikësëpari duhet pastruar thellë Partia Socialiste, kur dihet mirëfilli se pa ndryshimin e partive politike nuk mund ta përmirësojmë veten, as ta shpëtojmë Shqipërinë nga katrahura ku Edi Rama e ka futur vendin, u shpreh ajo, edhe vetë deputete dhe figurë e lartë e PS-së.
Këto ditë, pjesë e tubimit masiv, krahas qytetarëve në vend, ishte edhe diaspora shqiptare e organizuar rishtas për këtë protestë, ndërsa grumbullimi i protestuesve nis si çdo ditë, në orarin e përcaktuar, në orën 19:00 në sheshin Skënderbej, derisa protestuesit e shumtë në numër qëndruan rreth dy orë para zyrës së Edi Ramës, duke i kërkuar përsëri dorëheqjen e tij. Gjatë protestës, fjala iu dha edhe disa shqiptarëve që erdhën nga jashtë, të cilët thanë se nuk do të largohen nga sheshi, as nuk do të ikin më në vendet ku jetojnë pa e larguar Edi Ramën nga zyra e kryeministrisë.
Përkundër të gjithave sa po ndodhin, Edvin Kristaq Rama edhe më tej deklaron me ironi se gjoja nuk sheh arsye për dorëheqje, veprim me të cilin ai po injoron edhe krizën e madhe që mund të thellohet edhe më tej. Madje, për të mashtruar opinionin në vend, ai nuk merret me problemin kryesor, siç kërkojnë protestuesit, por me ngjarjet anësore, si pjesëmarrja e shqiptarëve nga Kosova e Maqedonia e Veriut në protestat në Tiranë, me shpresën se kështu do të arrijë t’i ndajë në grupe dhe të përçajë pjesëmarrësit e protestës, duke tentuar që pjesëmarrjen e kufizuar dhe në numër simbolik nga Kosova ta kthejë në temën kryesore, derisa thelbi i kërkesave të protestuesve, me insistimin e tij personal, ende vijon të mbetet në plan të dytë.
Edvin Kristaq Rama, përveç Shqipërisë, u ka hyrë shumë në hak edhe shqiptarëve të Kosovës, i cili në koketim me Vuçiqin ka dërguar edhe projekte për të ashtuquajturin "asociacion" serb te presidenti francez Macron dhe BE-ja në Bruksel, pa vënë në dijeni Qeverinë as popullin e Kosovës. Ndaj kryeministri Kurti duhet urgjentisht të dalë në mbështetje publike të protestave të vëllezërve tanë në Shqipëri; përndryshe nesër mund të jetë vonë dhe Edvin Kristaq Rama, përveç projektit të parë ilegal, mund të dërgojë edhe një projekt të dytë, edhe më konspirativ, të "zajednicës" serbe te presidenti Macron, zonja Meloni dhe Bashkimi Evropian për imponimin nga BE-ja të një "Republika Srpska" edhe në Kosovë.
Madje, siç u dëshmua vetëm pak kohë më parë, sivëllai i Vuçiqit dhe i biri i Kristaqit inskenoi edhe një editorial të përbashkët me Aleksandër Vuçiqin në gazetën gjermane "FAZ" (Frankfurter Allgemeine Zeitung), të cilit, po ia kërkoi Vuçiqi, mund t’i mbushet mendja të vendosë sërish, si i vetmi në Evropë, sanksione ndaj Kosovës, siç i pati vendosur më 2023, duke anuluar edhe takimin e dy qeverive që ishte paraparë të mbahej më 13 qershor të po atij viti në Gjakovë, ta quajë përsëri Mitrovicën dhe veriun e vendit tonë "tokë të askujt", si dhe të vazhdojë ta shfaqë përsëri Kosovën në hartat e konstruktuara enkas prej tij si pjesë të territorit të Serbisë fashiste.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".