Macroni e kritikon Britaninë për mungesë serioziteti

  • G.G /
  • 26 November 2021 - 14:05
Macroni e kritikon Britaninë për mungesë serioziteti

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të premten i tha Britanisë se duhet të bëhet serioze ose do të mbetet jashtë diskutimeve për masat rreth ndalimit të depërtimit të emigrantëve nëpër Kanalin Anglez.

Franca e ka anuluar ftesën për ministren e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Priti Patel, për një takim rreth çështjes së emigrantëve, duke vënë në pah se sa të tensionuara janë bërë raportet me Britaninë, pas mosmarrëveshjeve për të drejtat e peshkimit dhe rregullat tregtare pas Brexit-it.

“Unë befasohem, kur gjërat nuk bëhen seriozisht, ne nuk komunikojmë mes liderëve përmes postimeve në Twitter ose letrave të publikuara, ne nuk jemi sinjalizues”, tha presidenti francez në një konferencë për gazetarë në Romë, ku po qëndron për një vizitë zyrtare.

“Ministrat (e BE-së) do të punojnë seriozisht për të zgjidhur çështje serioze me njerëz seriozë. Pastaj do të shohim se si të lëvizim përpara në mënyrë efikase me britanikët, nëse ata vendosin që të bëhen seriozë”, shtoi presidenti francez.

Deklarata e tij është reagim ndaj letrës së kryeministrit britanik, Boris Johnson, i cili përmes një letre i bëri thirrje Macronit që Franca t’i marrë emigrantët që e kanë kaluar Kanalin Anglez, shkruan Reuters.

(Kosova Sot Online)