Shënohet rasti i parë i variantit të ri në Evropë – te një person i pavaksinuar

  • E.K /
  • 26 November 2021 - 15:19
Shënohet rasti i parë i variantit të ri në Evropë – te një person i pavaksinuar

Rasti i parë i një varianti të ri të koronavirusit është identifikuar në Belgjikë te një grua e re dhe e pavaksinuar, e cila filloi të kishte simptoma të ngjashme me ato të gripit 11 ditë pasi kishte udhëtuar për në Egjipt përmes Turqisë.

Pacientja nuk ka raportuar ndonjë lidhje me Afrikën Jugore ose me shtetet tjera në jug të Afrikës. Asnjëri nga anëtarët e familjes së saj nuk ka shfaqur simptoma, shkruan The Guardian.

Thuhet se pacientja ka pasur sasi të lartë të virusit në kohën e diagnostikimit nga hulumtuesit e universiteteve “KU Leuven“ dhe “UZ Leuven”.

Qeveria belge të premten vendosi masa të reja kufizuese, përfshirë mbylljen e hershme të bareve e mbylljen e plotë të klubeve të natës për tri javë me qëllim të pakësimit të kontakteve sociale dhe pengimit të përhapjes së mëtejme të valës së katërt të infeksioneve.

“Tani po përballemi me një situatë që është më e keqe se pikëpamja më pesimiste e ekspertëve para vetëm dy javëve”, deklaroi kryeministri belg, Alexander De Croo.

Ndryshe, më së shumti raste të variantit të ri deri më tani janë raportuar në Afrikën Jugore, por të tilla ka edhe në Botsvanë, disa shtete tjera në Afrikë të Jugut si dhe në Izrael.

Autoritetet izraelite kanë marrë vendim për ndalim të udhëtimeve për shumicën e shteteve afrikane. “Tash për tashmë jemi buzë gjendjes emergjente”, tha të premten kryeministri izraelit, Naftali Bennett.

(Kosova Sot Online)