Kurz befason të gjithë, largohet përgjithmonë nga politika

  • A.P /
  • 02 December 2021 - 19:54
Kurz befason të gjithë, largohet përgjithmonë nga politika

Lideri i konservatorëve në Austri, Sebastian Kurz, deklaroi se do të largohej përfundimisht nga politika dhe parlamenti, në një lëvizje që ka shtangur kolegët e tij, duke krijuar një vakum pushteti në Austri.

Lindja e djalit të tij disa ditë më parë është arsyeja sipas tij.

Për dhjetë vjet, Kurzi tha se qe angazhuar në Austri në poste të ndryshme qeveritare. Megjithatë, muajt dhe javët e fundit qenë të vështira. Ai tha ndihej “i përndjekur ndonjëherë”. Tani që është bërë baba, prioritetet e tij kanë ndryshuar. Ai thotë se e kishte kuptuar se kishte lënë pas dore fusha të tjera përveç politikës. Për më tepër, entuziazmi i tij për politikën është zbehur ndërkohë.

Kurz, vetëm 35 vjeç, dha dorëheqjen nga posti i kancelarit në muajin tetor, pasi ndaj tij nisi një hetim për korrupsion. Ai ishte figura dominuese e Partisë Popullore të Austrisë, që prej futjes në politikë në vitin 2017, kur u bë kryetar i partisë dhe më pas kancelar, duke fituar zgjedhjet falë edhe koalicionit me ekstremistët e djathtë të Partisë së Lirisë.

Kurz i mohon pretendimet se ka përdorur paratë e qeverisë për të blerë media dhe sondazhe për të siguruar opinion pozitiv për partinë e tij. Por kjo nuk ndali prokurorinë e krimit ekonomik dhe korrupsionit që të hetojë atë dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë politikë për shkak të dyshimeve për abuzim.

Kurz ka pasur një karrierë meteorike në politikën austriake. Ai u bë ministër i Jashtëm kur ishte vetëm 27 vjeç dhe u ngjit në postin e kancelarit në moshën 31-vjeçare. Ai e humbi mandatin e parë si kancelar pasi u detyrua po ashtu të japë dorëheqjen në vitin 2019, kur u ngritën akuza për korrupsion ndaj partisë në koalicionin qeverisës FPÖ.

Lideri i ri i ÖVP pritet të jetë ministri i Brendshëm Karl Nehammer.

(Kosova Sot Online)