Kosova ka nevojë për një klasë politike që interesin shtetëror e vë mbi atë personal

Kosova ka nevojë për një klasë politike që interesin shtetëror e vë mbi atë personal
Kosova ka nevojë për një klasë politike që interesin shtetëror e vë mbi atë personal

Idriz Zeqiraj

  • 22 April 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Uashingtoni zyrtar konstaton se procesi aktual mes Kosovës dhe Serbisë është joserioz, madje i instrumentalizuar politikisht. Derisa kreu i shtetit serb, Aleksandar Vučić, me ekipin e tij, zotohet se "kurrë nuk do ta njohin shtetin e Kosovës", i gjithë dialogu burokratik relativizon suksesin e bisedimeve. Ai, edhe pse pranon të bisedojë, edhe kur dakordohet gojarisht për ndonjë çështje, nuk pranon të nënshkruajë, duke lënë hapur mundësinë e mohimit dhe refuzimit.

 

-Mesazhi më domethënës strategjik është se koha për paqartësi i përket së kaluarës. Ka munguar serioziteti dhe vullneti për t’i çuar proceset përpara. SHBA-të duan pak fjalë dhe shumë punë. Ka pasur një qasje joserioze dhe aspak fisnike, deri në relativizimin e rolit vendimtar të Amerikës për lirinë e Kosovës. Ndërkohë që është dëshmuar se angazhimi i SHBA-së ka peshë dhe zgjidh probleme edhe nga më të ndërlikuarat.

Serbia është toleruar deri në tepri. Ajo përfiton nga lidhja ortodokse me Rusinë dhe balancimi me shtetet e Perëndimit. Kjo ka ndikuar në rolin sabotues të përfaqësuesve të BE-së në dialogun Kosovë–Serbi, duke dëshmuar njëanshmëri të dukshme në favor të Serbisë.

Mospajtimet partiake brenda klasës politike të Kosovës, përçarjet e vazhdueshme të brendshme, intrigimet e argatëve të shantazhuar të Serbisë, të infiltruar në organet drejtuese pushtetare dhe shtetërore, kanë nxitur përçarjen, deri në bashkëpunimin me ish-pushtuesin serb. Kjo gjendje amullie e brendshme në Kosovë ka reflektuar në dyshimet për mosmbështetjen, në masën e duhur, të Kosovës, edhe pse në raport me Serbinë e meritonte përkrahjen.

Kosova ka nevojë për një klasë politike që interesin shtetëror e vë mbi atë personal. Rast qartazi i dëshmuar se klasa politike po e bën të kundërtën është mosvazhdimi i mandatit të dytë presidencial të Vjosa Osmani, e cila krijoi lidhje të veçanta me "Shtëpinë e Bardhë", duke e zhbllokuar ngërçin për disa procese vitale të Kosovës. Këtë nuk kishte arritur ta bënte asnjëri nga pararendësit e saj pas pavarësisë së Kosovës.

Stabiliteti i brendshëm ka ndikim dhe favorizon pozitën e shqiptarëve në rajon dhe më gjerë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".