Projektligji për Byronë paraqet një hap drejt luftimit të korrupsionit

Projektligji për Byronë paraqet një hap drejt luftimit të korrupsionit
Projektligji për Byronë paraqet një hap drejt luftimit të korrupsionit

Florim Zeqa

  • 22 April 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Projektligji për Byronë paraqet një hap të madh drejt luftimit të korrupsionit, por assesi nuk duhet të kthehet në instrument politik për presion dhe hakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë! Edhe pse Byroja për konfiskimin e pasurisë së paligjshme të zyrtarëve publikë është një ndër ligjet më të kërkuara nga qytetarët e vendit, nuk do të jetë aspak i lehtë zbatimi në praktikë i këtij projektligji!

 

-Parimi bazik i këtij ligji, që “pasuria e pajustifikueshme nuk është private”, do të jetë sfidues për organet shtetërore në vërtetimin e fakteve dhe provave të mjaftueshme!

Unë mendoj që shteti nuk ka kapacitete të mjaftueshme për ta provuar paligjshmërinë pa cenuar të drejtat individuale dhe të drejtat njerëzore të qytetarëve në një shtet me sistem kapitalist në ndërtim e sipër dhe me institucione të pakonsoliduara!

Duke pasur parasysh kundërshtimet dhe ankesat në Gjykatën Kushtetuese, qeveria nuk po arrin të iniciojë reforma të qëndrueshme, ku si pasojë e kësaj po thellohen përplasjet institucionale dhe po rriten konfrontimet ndërpartiake!

Burimi i pasurive të paligjshme zanafillën e ka që nga koha e fondeve të luftës (‘Fondi i 3%-it’ dhe ‘Fondi Vendlindja Thërret’), e vazhduar me procesin e privatizimit të egër, ku të gjitha pasuritë shtetërore dhe publike u përvetësuan nga grupe të interesit, për të vazhduar me tenderomani të vazhdueshme deri në ditët e sotme!

Përderisa shumica e pasurive të patundshme (pyje, toka bujqësore, ndërmarrje shoqërore, vila, banesa publike dhe çka jo tjetër) dihet se kujt i përkasin, është më e lehtë qasja e Prokurorisë në raste të tilla!

Mirëpo, problematike mbeten pasuritë financiare të politikanëve të pasluftës, të deponuara në ‘Parajsat Fiskale’ jashtë shtetit!

Në mënyrë që ‘Byroja’ të jetësohet më lehtë dhe më shpejt, Albin Kurti fillimisht duhet të bëjë hetimin e ministrave të tij, Presidencës dhe Kuvendit, në mënyrë që të jetë më kredibil para qytetarëve të vendit, të cilët me padurim e presin kthimin e pasurive të paligjshme nga të gjithë ata që i kishin ‘rrogat e vogla dhe fitimin e madh’, i cili duhet të pasohet me ndëshkim meritor nga drejtësia vendore.

Albin, nga fjalët kalo në vepra! Kështu del më shpejt e vërteta në shesh! Çdo vonesë në këtë drejtim krijon pasiguri dhe e vë në mëdyshje kredibilitetin e institucioneve shtetërore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".