Haradinaj propozon të shpallet ditë zie në Kosovë në nderim të Bob Dole

  • E.K /
  • 08 December 2021 - 10:21
Haradinaj propozon të shpallet ditë zie në Kosovë në nderim të Bob Dole

Kryetari i Aleancës per Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar që institucionet të shpallin ditë zie në nderim të Senatorit amerikan, Bob Dole.

“Përulje me respekt para veprës heroike të Senatorit Bob Dole. Propozoj që institucionet e Kosovës, të shpallin ditë zie në nderim të tij”, ka shkruar Haradinaj.

Dole u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur. Për kontributin e tij, një bust i tij qëndron në kryeqytetin e Kosovës.

Bob Dole, një hero i Luftës së Dytë Botërore, vdiq në moshën 98-vjeçare.

Gruaja e tij, Elizabeth Dole, e postoi njoftimin të dielën në Tëitter, duke theksuar se ai vdiq në gjumë. Ai i ka shërbyer Amerikës për 79 vjet me radhë”, shkroi ajo.

Në muajin shkurt të këtij viti, ish senatori Dole, bëri të ditur se ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Gjatë karrierës së tij 36-vjeçare në Capitol Hill, ish senatori republikan, Bob Dole u bë një nga ligjvënësit dhe udhëheqësit më me ndikim në Senat.

Robert Joseph Dole, lindi më 22 korrik të vitit 1923 dhe ishte një nga katër fëmijët e familjes Dole në Russell të Kanzasit.

(Kosova Sot Online)