Kancelari gjerman: Duhet të mbajmë rezerva financiare, do të vijë një krizë e re

  • A.P /
  • 09 December 2021 - 18:21
Kancelari gjerman: Duhet të mbajmë rezerva financiare, do të vijë një krizë e re

Kancelari i ri gjerman dhe ish-ministri i Financave, Olaf Scholz, tha sot gjatë dorëzimit të detyrave te pasuesi i tij në Ministrinë e Financave, Christian Lindner, se financimi solid shtetëror duhet të mbetet prioritet.

“Aktualisht, pandemia është sfida më e madhe për financat publike, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë për fonde solide për t’i ruajtur rezervat. Sepse kriza e ardhshme është e sigurt që do të vijë”, tha Scholz (Partia Social Demokrate e Gjermanisë, SPD).

Ai shtoi se funksioni i ministrit të Financave është “diçka e veçantë” dhe se ka qenë i lumtur ta ushtronte atë detyrë katër vitet e fundit në kabinetin e Angela Merkel. “Kjo ka të bëjë me gjëra të mëdha”, tha Scholz.

Scholz, i cili dje u emërua kancelar i Gjermanisë, në ditën e parë të postit të tij të ri u takua edhe me kryeministrat e shteteve federale.

Scholz udhëton për në Paris të premten, ku është planifikuar të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron. 

(Kosova Sot Online)