Osmani pas takimit me Pendarovskin: Presidenti zë i qartë për liberalizimin e vizave për Kosovën

  • E.K /
  • 15 December 2021 - 11:12
Osmani pas takimit me Pendarovskin: Presidenti zë i qartë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se vizita e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski është nder dhe privilegj i madh për Kosovën. Ajo tha se kjo vizitë është e para që një president i një shteti fqinj e viziton zyrtarisht Kosovën.

Presidentja Osmani ka folur edhe për rreth 40 marrëveshje që janë nënshkruar në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Për herë të parë një president i një shteti fqinj e viziton Kosovën në vizitë zyrtare. Kjo vizitë jo vetëm që hap kapituj të ri të bashkëpunimit por konfirmon marrëdhëniet tashmë të shkëlqyera të Kosovës me Maqedoninë e Veriut. Kemi nënshkruar mbi 40 marrëveshje ndërkombëtare, disa memorandum ndërministrore si dhe nisma të tjera për marrëveshje të tjera që janë në proces të finalizimit”, ka thënë ajo.

Osmani tha se roli i shqiptareve në Maqedoninë e Veriut është i madh dhe se ata shërbejnë si një urë lidhëse në mes të vendeve.

“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë një urë lidhëse e fortë në mes të dy vendeve t6ona dhe dy popujt tona kanë lidhshmëri të madhe, bashkëpunim të madh në shumë fusha përfshirë bashkëpunimin, kulturor, tregtar e të tjera që ne synojmë që t’i shtyjmë përpara”, ka thënë më tutje Osmani.

Presidentja e ka falënderuar presidentin Pendarovski edhe për kontributin dhe mbështetjen që ka dhënë Maqedonia e Veriut për Kosovën.

“E falënderoj presidentin Penadrovski personalisht për rolin e tij mbështetës për Kosovën përgjatë gjithë viteve sa ka shërbyer dhe vazhdon që të shërbejë tani si president. E jo vetëm atë por gjithë popullin e Maqedonisë  së Veriut për kontributin e dhënë në mënyrë që Kosova të ecë përpara për sfidat me të ciklat është ballafaquar në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Osmani.  

Ajo ka falënderuar Pendarovskin edhe për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave.

“Përkundër faktit që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, BE-ja ende nuk e ka përmbushur premtimin. Me këtë rast e falënderoj presidentin Pendarovski që ka qenë zë i qartë për liberalizimin e  vizave për Kosovën si vend fqinj”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)