Çerkini e takon zëvendësin e Kurtit disa ditë pas kritikave ndaj kryeministrit

  • A.P /
  • 24 December 2021 - 18:14
Çerkini e takon zëvendësin e Kurtit disa ditë pas kritikave ndaj kryeministrit

Udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini gjatë ditës është takuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi. Pas deklaratës së tij se kryeministri Albin Kurti e ka përdorur çështjen e të pagjeturve për vota, ishte vënë në shënjestër të komenteve negative në rrjete sociale. Janë më shumë se dy dekada që kërkon eshtrat e djalit të tij dhe ai i bën thirrje qeverisë që të zbus këtë dhimbje të familjarëve. Çerkini tregon për KosovaPress se Bislimi i ka premtuar se kjo temë do të jetë prioritet.

Ai po kërkon drejtësi jo vetëm për djalin e tij, por edhe për mbi 1600 persona të tjerë që tash e më shumë se dy dekada nuk dihet fati i tyre. Për këtë thotë se kanë marrë premtime nga qeveria aktuale, por që nuk po shohin punë.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin dhe kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini tregon për KosovaPress se çfarë është diskutuar.

“Të gjithë ato brenga të cilat është dashur t’i them dhe bujë që kanë bërë kundër meje këto ditë ja kam thënë. Ai thotë me këto fjalë: ‘Baci Bajram, asnjëherë mos u ndal duke na kritikuar e ke porosinë edhe prej Albin Kurtit. Mos i ndal kritikat se kritikat e juaja na japin kurajë, na jepni fuqi që të shtyjmë procesin përpara’. Kështu jemi ndarë në këtë takim jashtëzakonisht mirë”, deklaron Çerkini.

Ai thotë se deklaratat e tij për Albin Kurtin janë keqkuptuar dhe se ekzekutivi duhet të shtyjë para dhimbjen e familjarëve të personave të pagjetur.

“Kemi plagë të pashërueshme, nuk ka kush që na i zbut sa qeveria. Qeveria duhet të punojë, e si të mos punojë na i përtërin më shumë plagën. Nuk dua të them fjalën e fundit. A besoni që na ka humbur durimi, a besoni që shpeshherë nuk mundemi t’i kontrollojë trurin kur flasim për familjarët të cilët qajnë. Me nënat të cilat qajnë në errësirë dhe thërrasin ‘eja djali im’. Do të thotë që ne gjithmonë me një ankth dhe me një plagë të pashërueshme. Kush mundet me na i zbut, përveç Qeveria e Kosovës. Mospuna e tyre na i pamundëson jetën përpara”, thekson ai.

Udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini po kërkon një plan-program nga qeveria sa i përket çështjes të të pagjeturve. Sipas tij, dialogu duhet të vazhdojë, ngase ka stagnuar tash e disa muaj.

(Kosova Sot Online)