“E zbrazën Kosovën më shumë se Millosheviqi”/ Naim Miftari me akuza të rënda për Ramush Haradinajn

  • G.G /
  • 10 January 2022 - 13:12
“E zbrazën Kosovën më shumë se Millosheviqi”/ Naim Miftari me akuza të rënda për Ramush Haradinajn

Miftari shkruan se, bash politikanët që kanë vjedhur pasurinë e shtetit të Kosovës dhe e kanë bërë pronë private të tyre, sot po kërkojnë llogari nga Kurti,.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurtin për ikjen e qytetarëve të Kosovës.

Ai duke i komentuar të dhënëat e qytetarëve që kanë kërkuar viza për ta lëshuar Kosovën, ka thënë se ata po ikin nga vendi sepse kjo qeveri e ky kryeministër po tentonjnë që Kosovën ta shndërrojnë në Venezuelë.

“A ka kryeministri ndonjë koment? 56000 qytetarë të Kosovës për një muaj kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendi, vetëm në njërën nga ambasadat. Përse kjo heshtje? A nuk ishit ju qeveria e shpresës? Përse kaq shumë qytetarë ia mësyejnë ta lëshojnë vendin? Ata duan të ikin sepse qeveria nuk po tregon aftësi për ringjalljen ekonomike, përkundrazi, po e fundosë dita ditës edhe më shumë ekonominë edhe ashtu në krizë”, shkruan Haradinaj në facebook.

Ai tutje shprehet se, Qeveria e me politika të majta ekstreme, frikësoi kapitalin vendor duke e nxjerrë jashtë dhe duke u ulur shuma e investimeve.

“Ajo përpos se nuk e përkrahu, krijoi armiqësi me sektorin privat. Qytetarët po ikin nga vendi sepse kjo qeveri e ky kryeministër po tentonjnë që Kosovën ta shndërrojnë në Venezuelë. Me politikat majtiste ekstreme, ngjalljen e sentimentit anti-amerikan, ata po shkojnë rrugës së Chavez-it. Qytetarët po ikin sepse po ndëshkohen me reduktime të energjisë e fatura të fryra për energjinë që qeveria e blenë po me paratë e tyre, përderisa qytetarëve në veri të vendit, iu paguan dhjetëra milionë për energji. Ata refuzuan dhe shkatërruan mundësinë e artë, që Kosova të bëhet fuqi energjetike në rajon, duke refuzuar edhe Kosovën e re edhe gazin amerikan, veç për të blerë energji me çmime dhjetëfish më të larta nga mafia energjetike”, shkruan tutje ai.

Sipas tij, qytetarëve u është vjedhur shpresa përmes tenderomanisë, tenderëve njëburimor, klientelizmit, politizimit të bordeve dhe punësimeve të familjarëve të funksionarëve të partisë suaj.

“Qytetarë të profesioneve të ndryshme po duan ta lëshojnë vendin, sepse qeveria Kurti nuk e ka në agjendë ligjin e pagave por luftën kundër sindikatave. Në fakt, kjo qeveri po e lufton secilin që nuk mendon si kreu i saj, por kjo do t’i kthehet bumerang dhe nuk do të mund ta shpëtojnë militantët imagjinarë të internetit. Mbi 50 mijë qytetarë po tentojnë ta braktisin vendin. Ky është një fakt pikëllues, është një alarm për Kosovën. Është tregues se kjo qeveri, nuk ka as vizion, as dije e as veprime qeverisëse”, ka shkruar Haradinaj.

Mirëpo, një kundërpërgjigje Haradinajt i ka ardhur nga ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Edhe Miftari me anë të një postimi në facebook, ka kritikuar Haradinajn, duke shtuar se po u dhimbset Kosova politikanëve të korruptuar që vet e kanë zbrazur më shumë se Millosheviqi.

Miftari shkruan se, bash politikanët që kanë vjedhur pasurinë e shtetit të Kosovës dhe e kanë bërë pronë private të tyre, sot po kërkojnë llogari nga Kurti,.

“Kur lotojnë krokodilat për viktimat e tyre!

Krokodilat po ankohen kinse po na dhimbset Kosova në çfarë gjendje të keqe ka ardh. Sot ankohen e akuzojnë bash qata politikanë të korruptuar që vet e kanë zbrazur Kosovën më shumë se vet Sllobodan Millosheviqi me hajnitë dhe krimet e tyre që 20 vite qeverisje rresht.

Bashkë qata që pos shtetit edhe pasurinë e Kosvës e bëren pronë private të tyre ndërsa  ekonominë, arsimin, drejtësinë, shëndetësinë, mirëqenien sociale e bënen rrush e kumbulla dhe me hajni shkatërruan shtetin e varfër deri në ekstrem dhe i detyruan mbi 400.000 banorë të Kosoves të kerkojnë një jetë më të mirë nëpër botë, një jetë të sigurt, jetë pa Hashimat, jetë pa Endritat e Mërgimat, jetë pa Ramushat, jetë pa Samia, jetë pa Dautat, jetë pa Kadriat dhe një jetë pa Isat dhe Agimat!”,shkruan Miftari në facebook.

(Kosova Sot Online)