Ministri serb i Mbrojtjes i frikëson serbët e Kosovës me vizitën e Kurtit në FSK, përmend vrasje dhe dëbime

  • A.P /
  • 11 January 2022 - 18:02
Ministri serb i Mbrojtjes i frikëson serbët e Kosovës me vizitën e Kurtit në FSK, përmend vrasje dhe dëbime

Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, është munduar t’i frikësojë serbët e Kosovës pas vizitës që kryeministri Kurti ka bërë sot në kazermën e FSK-së në Gjilan.

Stefanoviq që shërben edhe si zëvendëskryeministër në qeverinë serbe ka thënë se Kurti me deklaratën që ka bërë ka menduar për “t’i vrarë dhe dëbuar serbët” kjo pasi kryeministri Kurti tha se Ushtria e Kosovës është ëndërr e gjeneratave që dhanë jetën për liri.

“Kur [Kurti] përmend sot brezat që dhanë jetën për liri, ndoshta ka parasysh lirinë në vrasjen, torturimin dhe dëbimin e popullit serb nga vatrat shekullore, djegien dhe shkatërrimin e faltoreve serbe dhe përdhosjen e varreve serbe? Mos ndoshta ai po mendon të sulmojë lirshëm të moshuarit, gratë dhe fëmijët që kërcënohen të largohen nga pragu i shtëpive të tyre dhe që u dogjën të gjallë para shtëpive të tyre? Kjo është pikërisht ajo që e gjithë bota ka dëshmuar në disa kohë të kaluara. Ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq po ndjek një politikë të përgjegjshme dhe po bën përpjekje në bisedime për të arritur zgjidhje konstruktive që ua bëjnë jetën më të mirë dhe më të lehtë si për serbët ashtu edhe për shqiptarët në Kosovë, Kurti padyshim ende ëndërron të mbjellë kaos dhe destabilizim”, ka thënë ai.

Stefanoviq e ka quajtur shqetësuese deklaratën e Kurtit.

“Deklarata e Albin Kurtit se Ushtria e Kosovës është ëndërr e gjeneratave që dhanë jetën e tyre për liri është një deklratë tjetër shqetësuese që s’mund të jetë e mirë për serbët që jetojnë në Kosovë apo në rajon. Deklarata tregon përsëri se Kurti është duke përgatitur destabilizim të ri dhe se deklarata për gatishmëri për vazhdimin e dialogut është vetëm një gënjeshtër shumëngjyrëshe”, ka thënë ministri serb i Mbrojtjes.

Tutje ministri serb i Mbrojtjes ka këruar nga BE-ja dhe OKB-ja që t’u përgjigjen sipas tij përpjekjeve për të krijuar Ushtrinë e Kosovës.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve ndërkombëtarë, si Bashkimit Europian ashtu edhe anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, t’i përgjigjen këtyre përpjekjeve për të destabilizuar jo vetëm krahinën tonë jugore, por të gjithë rajonin. E rikujtojmë edhe një herë se përpjekjet për të krijuar të ashtuquajturën Ushtri të Kosovës janë në kundërshtim me të gjitha aktet ndërkombëtare dhe paraqesin tallje të gjithë bashkësisë ndërkombëtare.   Ne jemi gjithashtu të bindur se është detyra jonë të vazhdojmë dialogun, politikën e paqes dhe stabilizimit. Por është obligim që të kujtojmë dhe të mos harrojmë kurrë vuajtjet e popullit serb. Populli serb në Kosovë sigurisht që nuk do të frikësohet dhe as nuk do të lejojmë të përsëritet pogromi i vitit 2004. Ne mund ta mbrojmë atë. Presidenti Aleksandar Vuçiq po ndjek një politikë të së ardhmes, zhvillimit dhe bashkëpunimit, por edhe një politikë që garanton se nuk do të lejojmë më kurrë vuajtjet dhe lotët e serbëve në Kosovë”, ka thënë ai.

Sot, Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj kanë vizituar Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nga atje Kurti ka thënë se FSK-ja është ëndrra dhe amaneti i brezave ndër vite. Kryeministri para ushtarëve të FSK-së tha se është krenar me ushtrinë e Kosovës.

“Ju ushtria e Kosovës jeni edhe ëndrra dhe amaneti i brezave ndër vite që sakrifikuan të vlefshmen për të shtrenjtën dhe jetën për lirinë. Ju me shërbimin tuaj fizik përgatiteni për çdo ditë për ta mbrojtur atdheun. S’ka si të mos ndihem i nderuar dhe krenar dhe nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar vitin e ri”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)