Faqet e internetit të qeverisë bien pre e sulmeve kibernetike

  • A.P /
  • 14 January 2022 - 20:17
Faqet e internetit të qeverisë bien pre e sulmeve kibernetike

Bashkimi Evropian dënoi të premten sulmin masiv kibernetik ndaj një numri uebfaqesh të qeverisë ukrainase.

Përfaqësuesi i Lartë i BE’së për Punët e Jashtme, Josep Borrell tha se kishte thirrur një takim urgjent për të “parë mundësitë për reagim dhe se si mund t’i ofrohet ndihmë teknike Ukrainës në mënyrë që të rrisë kapacitetin e saj mbrojtës”.

“Ka pasur sulme kibernetike kundër Ukrainës këtë mëngjes. Duhet një reagim i fortë. Ne thirrëm këtë mëngjes një takim urgjent për të parë se si mund të reagojmë dhe t’i ofrojmë ndihmë teknike Ukrainës në mënyrë që të rritet kapaciteti i saj për tu përballur me sulme të tilla”, deklaroi zoti Borrell.

Në këto faqe internet mund të lexohej një mesazh në gjuhën ukrainase, ruse dhe në gjuhën polake ku thekohej: “Kini frikë dhe prisni më të keqen. Kjo është për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tuaj”.

Shërbimi Shtetëror i Komunikimit dhe Mbrojtjes së Informacionit të Ukrainës tha të dhënat personale ishin të sigurta, pasi “regjistrat nuk janë prekur nga hakimi”.

Ky sulm kibernetik vjen ndërsa Rusia, e cila ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa në kufirin e fqinjit të saj, publikoi pamje televizive nga nisja e një stërvitje ushtarake.

(Kosova Sot Online)