Studimi në Izrael: Doza e katërt e vaksinës nuk mbron nga infektimi me Omicron

  • G.G /
  • 18 January 2022 - 12:41
Studimi në Izrael: Doza e katërt e vaksinës nuk mbron nga infektimi me Omicron

As doza e katërt nuk e ndalon dot infektimin me variantin Omicron. Një studim në Izrael tregoi se doza e dytë përforcuese rrit ndjeshëm nivelet e antitrupave, por jo mjaftueshëm për të parandaluar infektimin me variantin më ngjitës.

Qendra mjekësore Sheba në Izrael, u dha një dozë të katërt të vaksinës së Pfizer 154 pjesëtarëve të stafit, ndërsa për 120 të tjerë aplikoi atë të Modernës.

Ata u krahasuan me grupin që nuk mori një dozë të dytë përforcuese.

Por, edhe pse u vërejt një rritje e konsiderueshme e antitrupave, madje edhe më shumë se pas dozës së tretë, efektshmëria për mbrojtjen nga infektimi mbeti e njëjtë, raporton A2news.

Zbulimet e studimit, që sipas spitalit janë të parat e këtij lloji në botë, janë paraprake dhe nuk janë publikuar ende.

Izraeli është vendi me fushatën më të shpejtë të vaksinimit kundër Covid-19 dhe muajin e kaluar nisi të ofrojë dozën e katërt për grupet më të rrezikuara nga virusi.

(Kosova Sot Online)