Abelard Tahiri: Kosova po qeveriset nga njerëz të padijshëm

  • A.P /
  • 20 January 2022 - 22:03
Abelard Tahiri: Kosova po qeveriset nga njerëz të padijshëm

Shefi i grupit parlamentar të PDK, Abelard Tahiri ka mbajtur një konferencë për medie, pas dështimit që në seancën e sotme të Kuvendit të përfshihet si çështje urgjente një debat parlamentar për ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike.

Tahiri ka thënë se grupi i PDK-së duke parë gjendjen që po rëndohet me furnizimin me energji, kanë kërkuar debat për të diskutuar për gjendjen energjetike dhe masat që duhet t’i marrë Qeveria.

“Sepse me inflacionin dhe ngritjen e çmimeve për standardin e qytetarit është e papërballueshme. ky vend po qeveriset nga njerëz të papërgjegjshëm dhe të padijshëm. Ne jemi vendi që do të hyjmë ne mesin e 10 vendeve të BE gjeografikisht që do ta paguajmë më së shtrenjti energjinë. Është e papranueshme për ne. Në 6 muaj e tejkalojnë konsumimin. Shumica e qytetareve do të preken nga ngritja e çmimit të energjisë. Do të përdorim të gjitha instancat për të thirrur seancë e jashtëzakonshme. Gjendja do të rëndohet edhe më shumë”, ka thënë ai.

Tahiri ka thënë se do të insistojnë që të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohet për ngritjen e çmimeve të energjisë.

“Paga në sektorin privat nuk e përballon një ngritje të tillë. Një seancë e tillë është e nevojshme dhe miratimi i një rezolute që do ti kërkojë ZRrE-së për mos ngritjen e çmimeve. Për ne është e rëndësishme parandalimi i energjisë elektrike”, ka thënë tutje ai.

Tutje, Tahiri tha se sa i përket akuzave të kryeminatorit edhe qytetarët e kanë jetuar atë kohë dhe nuk e kanë pasur mungesën elektrike dhe kanë paguar më së liri tarifat e energjisë.

“Kryeministri Kurti ka qenë kundër hidrocentraleve, kundër termocentralit të ri. Nuk kemi parë projekt që ka qenë në mbështetje të kësaj Qeverie. Ne jemi në koordinim dhe në momentin që arrijmë t’i mbledhim numrat atëherë do të thërrasim seancë të jashtëzakonshme. Ne do të bëjmë përpjekje që këto tarifa të mos lëvizin”, tha në fund Tahiri.


(Kosova Sot Online)