Tri shtete të NATO-s do ta furnizojnë Ukrainën me raketa të ndryshme

  • S.A /
  • 22 January 2022 - 08:59
Tri shtete të NATO-s do ta furnizojnë Ukrainën me raketa të ndryshme

Estonia, Letonia dhe Lituania kanë njoftuar se do t’i ofrojnë Ukrainës raketa kundërajrore dhe anti-tank për ta ndihmuar këtë shtet në rast të hyrjes së mundshme të trupave ruse në territorin e saj.

“Duke e marrë parasysh rritjen e presionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe rreth saj, Shtetet Baltike kanë vendosur që t’u përgjigjen nevojave të Ukrainës dhe të ofrojnë asistencë shtesë në fushën e mbrojtjes”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tri anëtareve të NATO-s. “Kjo ndihmë do ta forcojë më tej aftësinë e Ukrainës për t’i mbrojtur territorin dhe popullsinë e vet në rast të një agresioni të mundshëm rus”, thuhet më tej në deklaratë.

Agjencia “Reuters”, duke cituar tri burime të afërta me situatën, ka raportuar se tri shtetet baltike më herët këtë javë e kanë marrë dritën e gjelbër nga Shtetet e Bashkuara për dërgimin e këtyre armëve në Ukrainë, shkruan Free Europe.

Estonia do të dërgojë raketa anti-tank “Javelin”, ndërsa Letonia dhe Lituania do të dërgojnë raketa kundërajrore “Stinger”.

Njoftimi për këtë veprim vjen në kohën e tensioneve të larta mes NATO-s e Rusisë. Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë zhvilluar bisedime me Rusinë javën e kaluar, por përpjekjet diplomatike deri tash kanë dështuar që t’i ulin tensionet.

(Kosova Sot Online )