Nuk ka kuorum/ Shtyhet për të mërkurën votimi i mocionit të opozitës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

  • A.P /
  • 24 January 2022 - 20:28
Nuk ka kuorum/ Shtyhet për të mërkurën votimi i mocionit të opozitës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Mocioni i partive opozitare kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike ka mbetur që të votohet të mërkurën në Kuvend për shkak se në seancën e sotme nuk kishte kuorum.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se në sallë janë të pranishëm vetëm 45 deputetë dhe se seanca për votimin e mocionit të mbahet të mërkurën në orën 14:00.

Shefi i GP të PDK-së Abelard Tahiri paraqiti mocionin në emër të tri partive opozitare, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe që të ofrohen alternativa të reja nga Qeveria.

“Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot më datë 24 janar 2022, me propozim të GP të PDK-së, GP të LDK-së dhe GP të AAK, dhe të mbështetur deputetët e tjerë propozon këtë draft-rezolutë: Kuvendi obligon Qeverinë që të refuzojë propozimin aktual të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe të kërkojë propozim alternativa të reja: të shtyhet implementimi i tarifave të reja drejt muajve të ngrohtë. Çdo propozim eventual për rritje të tarifave të shoqërohet me normë të reduktuar të TVSH-së në zero, të ndiqen modelet e shtete evropiane që kanë praktikuar një model të tillë, të ofrohet sa më parë alternativa afatgjate me energji të qëndrueshme dhe të përballueshme. Në këtë drejtim të ndërpriten vonesat e paarsyeshme dhe të dëmshme të qeverisë në lidhje me gazifikimin e Kosovës, një projekt që shtetet e rajonit e kanë nisur tashmë. Qeveria duhet të përshpejtojë për dhënien e lejeve për nisjen masive të investimeve drejt sektorit të energjisë solare. Kuvendi i Kosovës obligon Qeverinë që në afat prej 15 ditësh të sjellë dhe të prezantojë në Kuvend një raport me shkrim për mos zbatimin të pikës pesë të vendimit të Kuvendit të datës 06.05.2021 për mos sigurimin në procesin e futjes në sistem të faturave sipas ligjit në fuqi te konsumatorët në komunat përkatëse në veri të Kosovës”, tha Tahiri.

Ndryshe, në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të rrymës, pasi, siç ka thënë Qeveria, vendi po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë për amvisëritë për 9 për qind. Qeveria ka thënë se ka ndarë 75 milionë euro që të subvencionojë një pjesë të faturave të energjisë.


(Kosova Sot Online)