Sejdi Veseli përfundon dëshminë në Hagë

  • A.P /
  • 25 janar 2022 - 17:15
Sejdi Veseli përfundon dëshminë në Hagë

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sejdi Veseli ka thënë se anëtarët e njësisë BIA kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së dhe se askush nuk mund ta mohojë që të njëjtit kanë luftuar kundër pushtuesit serb.

Veseli i cili ka dëshmuar në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, ka thënë para trupit gjykues që BIA ishte vendosur në Zllash meqë ishin të rrezikuar të qëndronin në qytet për shkak të aksioneve të shumta që kishin kryer.

Në Hagë Veseli ka pasur kritika për çështjen e përkthimit pasi sipas tij, transkriptet janë me gabime.

Veseli ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për programin e njësisë BIA të UÇK-së veçse të njëjtit janë bashkuar me Brigadën 153 në ofensivën e prillit të vitit 1999.

“Unë programin e tyre nuk e kam ditë dhe nuk kam dashur me interefru në punën e tyre, ata i kanë ditë punët e veta por një e di dhe e kam thënë gjithmonë, kanë qenë ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ata e kanë pasur programin e vet, e kanë pasur komandën e vet dhe natyrisht në bazë të programit të vet kanë bërë edhe veprime taktike çfarë është dashur me i bë, por e thash që kur ka ardh puna te ofensiva ata ushtarët e BIA-s të cilët kanë qenë të strehuar në atë kompleks, ata janë bashkuar në një front me Brigadën 153, kanë luftuar dhe më konkretisht te Vitia e Marecit”, ka thënë Veseli.

Megjithatë, Veseli ka deklaruar që BIA nuk i ka raportuar Brigadës 153 duke theksuar se ata kanë qenë njësi në vete.

Në fund të dëshmisë së tij, Veseli i cili është ftuar nga ZPS për dëshmi, ka thënë që beson se trupi gjykues është i interesuar të gjejë të vërtetën.

“Kam besim që jeni luftëtarë që doni me zbulu të vërtetën dhe qëndrimi im prej fillimit ka qenë shumë i sinqertë, pa marrë parasysh që ju jeni panel gjykues, këta janë prokurorë, në mua çdo herë mund të llogarisni një mik”, ka thënë ai.

Dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj Salih Mustafës do të dëgjohet të martën, më 1 shkurt, dhe i njëjti mban kodin W04849.

Deri tani në proces janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë të mbrojtur të ZPS-së, pas tyre Fatmir Sopi e Sejdi Veseli në seanca të hapura.

Gjykimi ndaj Mustafës ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

(Kosova Sot Online)