Obiliqi kërkon nga ZRrE-ja kuotë më të lirë të çmimit të energjisë elektrike për të

  • G.G /
  • 01 February 2022 - 16:14
Obiliqi kërkon nga ZRrE-ja kuotë më të lirë të çmimit të energjisë elektrike për të

Komuna e Obiliqit është duke kërkuar një kuotë më të lirë të çmimit të energjisë elektrike për banorët e zonës së rrezikuar të Obiliqit.

Në komentet e kësaj komune dërguar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), kërkojnë që Qeveria dhe Bordi i ZRRE të ndërmarrin hapa të nevojshëm për zbatimin e Ligjit për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit.

“Kërkojmë nga ju si Qeveri dhe Bord i ZRRE-së, së bashku me mekanizmat tuaj që të ndërmerrni hapat e nevojshëm lidhur me këtë çështje, sepse kanë kaluar pesë (5) vite që nga koha e miratimit të ligjit në fjalë përkatësisht hyrjes në fuqi të tij, dhe nuk është rregulluar kjo çështje e cila është shumë me rëndësi për qytetarët e komunës së Obiliqit”, thuhet në komentet e kësaj komune dërguar ZRRE-së.

Kritika nga kjo komunë ka pasur lidhur me mospërkrahjen financiare për banorët e Zonës së Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit, teksa thuhet se ata me mjete vetanake i kanë përkrahur banorët.

“Që nga fillimi i implementimit të buxhetit, komuna në vitin 2019 ka ndërmarrë disa veprime për përmirësimin e jetës së banorëve të Zonës së Veçantë përkatësisht realizimin e kësaj çështje, ku me ndarje buxhetore ka paraparë që në emër të subvencionimit të energjisë elektrike të ndahen 300.000 euro për këtë çështje  institucioni komunal ka krijuar një grup punues i cili ka bërë evidentimin e të gjithë njehsorëve aktiv të energjisë elektrike për ekonomitë familjare, mirëpo të njëjtat mjete kanë mbetur pa u realizuar për shkaqe të mungesës së akteve nënligjore që e  rregullojnë çështjen e kuotizimit më të ulët për banorët e Obiliqit ëe që sipas ligjit është në kompetencë të Qeverisë së bashku me ZRrE”, thuhet më tutje aty.

Kështu, ata kanë kërkuar nga Qeveria, ZRrE, KEDS/KESCO që të krijojnë një modalitet sikurse në rastin e komunave veriore, e ku për Obilqin, ZRrE-ja të sigurojë një kuotë më të ulët të çmimit të energjisë elektrike.

“Kërkojmë nga Komisioni Parlamentar Qeveria e Republikës së Kosovës, ZRrE-ja, KEDS/KESCO të trajtojnë me seriozitet këtë çështje dhe të krijojnë një modalitet sikurse në rastin e komunave veriore, ku për komunën  e Obiliqit përcaktohet sipas ligjit Nr.05/L-044, neni 8, pika 2 : ‘Qeveria në bashkëpunim me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë siguron: 2.1. një kuotë më të ulët të çmimit për energji elektrike,’. Komuna  e Obiliqit, komunë që gjendet mbi pasurinë e thëngjillit është e gatshme për bashkëpunim në gjetjen e zgjidhjes së përshtatshme për banorët e Obiliqit duke ofruar kuotë më të ulët të çmimit të energjisë elektrike dhe jo ngritje të tarifave, sipas Ligjit për Obiliqin dhe pasojat që bartë qytetari i Obiliqit nga prodhimi i energjisë elektrike, nga veprimtaria e termocentraleve KOSOVA A dhe B, duke shkaktuar dëme të rënda shëndetësore”, thuhet në raportin me komente të komunës së Obiliqit.

Më 17 janar ZRrE ka publikuar një raport konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.

Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për ata konsumatorë që nuk shpenzojnë më shumë se 600 kWh rrymë në muaj. Kësisoj, organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë thotë se mjetet e ndara nga Qeveria do ta shmangnin nevojën për rritjen e çmimit të rrymës për këtë kategori konsumatorësh.

“Subvencioni i dhënë nga Qeveria efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesorë të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë (deri në 600 kWh për muaj)”, thuhet në raportin e ZRRE-së.

Propozimi i ZRRE-së: Tarifat e energjisë elektrike bazuar në subvencionin e premtuar të Qeverisë. Çmimi i rrymës rritet për ata që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.

https://drive.google.com/file/d/1t2PMNszYgNXkY59ng9HGhwNtvyC4Zhpa/view

(Kosova Sot Online)