Tahiri i PDK-së thotë se vendimin për shtrenjtim të rrymës do ta dërgojnë deri në Kushtetuese

  • G.G /
  • 08 February 2022 - 13:34
Tahiri i PDK-së thotë se vendimin për shtrenjtim të rrymës do ta dërgojnë deri në Kushtetuese

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka dalë në konferencë për media, pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Tahiri e ka kritikuar pozitën për abstenimin për ta futur në rend dite si mocion urgjent për debat parlamentar vendimin e ZRRE-së.

“Sot, ZRRE ka marrë një vendim jashtëzakonisht të dëmshëm për jetën e qytetarëve në vendin tonë, një vendim që e rëndon jashtëzakonisht shumë jetën e çdo qytetari. Kostoja e jetesës në Republikën e Kosovës po bëhet e papërballueshme për qytetarët tanë. Mosanagzhimi qeverisë, mosangazhimi i duhur i kësaj mazhorance çdo ditë e më shumë po e rëndon gjendjen sociale në vendin tonë. Pra, paga e një mjeku, paga e një punëtori në sektorin privat, paga e një arsimtari, paga e secilit që paguhet nga buxheti i Kosovës dhe nga ai privat, sot e bën të papërballueshme mbulimin  e shpenzimeve dhe kosoton e jetesës në vendin tonë”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas Tahirit, vendimi i ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike do të ndikojë në rritjen e numrit të qytetarëve që duan të largohen nga Kosova, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike.

“Ne besojmë që ky bord duhet të shkarkohet sepse janë njerëz të paaftë të cilët po e marrin në qafë jetën e qytetarëve tanë, po e rëndojnë jashtë mase jetën e qytetarëve tanë. Së bashku me grupet tjera parlamentare LDK dhe AAK padyshim që do të ftojmë një seancë të jashtëzakonshme me të cilën do të kërkojmë të votohet një rezolutë, e cila i kërkon ZRRE-së ta anulojë këtë vendim skandaloz për shtrenjtimin e energjisë. Po ashtu, në ditët në vijim do të bëjmë kundërshtimin e këtij vendimi, në rast se nuk anulohet, përmes institucioneve gjyqësore në vendin tonë”, tha Tahiri.

Tahiri deklaroi se do të ndiqen edhe procedurat gjyqësore, duke filluar nga Gjykata Themelore e deri te ajo Kushtetuese.

“Mosvotimi i kësaj rezolute na jep edhe më shumë argumente neve si deputetë të opozitës që t’iu drejtohemi instancave gjyqësore. Ato janë duke fillu nga Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe duke përfundu në Gjykatën Kushtetuese në rast se është e nevojshme. Mirëpo për këtë çështje nuk mund të aplohet direkt në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo duhet përmes mekanizmave pra të Departamentit Administrativ në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Besoj, tashmë jemi duke u koordinu me shefat e grupeve parlamentare, dhe do të tentojmë që në një afat sa më të shpejtë në mënyrë që të kërkojmë anulimin e këtij vendimi”, ka deklaruar Tahiri.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar vendosjen e bllokut tarifor në 800 kËh pas atij paraparak në 600 që ishte propozuar më parë.

Propozimi ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave, dhe është miratuar në mënyrë unanime.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë eficence me 5,9 cent kËh. Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.

Sipas ZRRE-së, rreth 20% e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor.

Tarifat e reja hyjnë në fuqi nga 9 shkurti dhe do të mbesin në fuqi deri në mars të vitit 2023.

(Kosova Sot Online)