Mimoza Kusari i akuzon punëtorët e Kuvendit

  • A.P /
  • 09 February 2022 - 22:14
Mimoza Kusari i akuzon punëtorët e Kuvendit

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se publikimi i shpenzimeve të deputetëve për udhëtim ka rrjedhur nga një pakënaqësi e punëtorëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë kërkuar t’u paguhen shtesat por që kjo nuk ka ndodhur, për shkak të votimit kundër nga kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe po ashtu refuzimit nga ministri i Financave, Hekuran Murati. Publikimi i shpenzimeve të deputetëve për karburante krijoi debat në skenën politike, derisa Kusari Lila i lë fajin punëtorëve të Kuvendit për këto shpenzime.

Kusari- Lila ka thënë se si pasojë e kësaj, punëtorët e Kuvendit patën filluar një diskutim mes tyre, duke thënë se vetëm shpenzimet për udhëtim të deputetëve, janë sa gjysma e pagës së tyre.

“Unë jam e bindur që kjo ka filluar si një frustrim i zyrtarëve brenda Kuvendit në raport me një vendim që e ka marrë kryesia e Kuvendit, për të cilin ka votuar kundër Glauk Konjufca për shtesat e punëtorëve të Kuvendit. Kryetari e ka konsideruar si jo të nevojshme, ai në kryesi ka votuar kundër, vendimi është dërguar për ekzekutim te ministri i Financave i cili është deklaruar kundër duke thënë se pse zyrtarët e Qeverisë mos me pasë, është si shtesë, është shtesa e dytë e vitit, ata e kanë marrë një shtesë në qershor. Unë e kam pas këtë bindje, sepse pati filluar diskutimi mes punëtoreve të Kuvendit nëpër korridore që na pyetnin se a po ekzekutohet apo jo. Pushtetet janë të ndara, është dashur të ekzekutohet pasi e ka pas legjitimitetin nga kryesia e Kuvendit. Ministri ka refuzuar dhe në vazhdimësi retorika ka qenë se ka deputetë që marrin vetëm shtesa të udhëtimit sa gjysma e rrogës tonë dhe kjo është rritur si orteku i borës, pasi ka nisur në fillim të dhjetorit, dhe është gjetur një kanal- medium për tu prezantuar”, ka thënë Kusari-Lila 

Ajo ka thënë se kanë kërkuar që vendimi për pagesën e shpenzimeve të udhëtimit të rishqyrtohet, ndonëse siç ka thënë, është pro asaj që deputetët të kenë dinjitet. 

“Ne kemi kërkuar që atë vendim ta rishqyrtojmë mirëpo është ligji i pagave që vjen në mars në Kuvend dhe jam prapë për atë që deputetët duhet pasur dinjitet, një deputet që vjen prej Dragashit, Kaçanikut, Gjilanit, nuk e kanë të lehtë pasi seancat zgjasin deri në orë të vona.  Ata që udhëtojnë dhe janë ballafaquar me këtë situatë kanë kërkuar që të tërhiqen nga pagesa e udhëtimit. Ka deputetë që në ndërkohë u ka ndërruar statusi. Në situatën aktuale nuk e kemi bërë këtë pasi kanë qenë duke u përgatitur këto lista. Ka deputetë që kanë marrë top-kompensime. Përderisa kjo ka qenë e legjitimuar me një vendim të kryetarit të Kuvendit, derisa nuk ka pasur një mekanizëm që i thotë deputeti ti nëse e ndërron vendbanimin duhet të paraqitesh.

Sipas saj, një numër i madh i deputetëve jetojnë në komuna të largëta, ata nuk e kanë votuar këtë vendim, dhe sipas saj, ata nuk e dijnë kur regjistrohen deputet, që në linjën e buxhetit ku përshkruhet te paga kompensimet për pjesëmarrje në seanca dhe komisione, janë të shtuara edhe shpenzimet e udhëtimit, për ata që e deklarojnë vendbanimin jashtë Prishtinës.

(Kosova Sot Online)