Hoti nuk merr merita për njohjen e patentë shoferëve nga Gjermania, e quan angazhim afatëgjatë të institucioneve

  • G.G /
  • 11 February 2022 - 14:01
Hoti nuk merr merita për njohjen e patentë shoferëve nga Gjermania, e quan angazhim afatëgjatë të institucioneve

Ish-kryeministri dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar pasi Gjermania njohi patentë shoferët e lëshuar nga Kosova.

Për dallim prej zyrtarëve të tjerë, Hoti s’ka marrë merita, por vetëm ka thënë se sot u konkretizua angazhimi afatgjatë i institucioneve shtetërore të Kosovës.

“Më vjen mirë që sot u konkretizua angazhimi afatgjatë i institucioneve shtetërore të Kosovës për njohjen e patent-shoferëve të Kosovës nga ana e Gjermanisë. Janë mbajtur shumë diskutime me palën gjermane, janë shkëmbyer vizita dhe të dhëna zyrtare për vite me radhë.

Partneriteti Kosovë-Gjermani është i përhershëm. Pjesa më e madhë e qytetarëve të Kosovës që kanë emigruar për dekada me radhë kanë gjetu strehim dhe punë në Gjermani falë mikëpritjes së shtetit dhe popullit gjerman. Shumë familje në Kosovë e kanë përmirësuar standardin e jetës falë të ardhurave të fituara nga puna e familjarëve të tyre në Gjermani”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe, Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se ka kaluar propozimi për njohjen e patentë-shoferëve të Kosovës në Gjermani.

Sipas Ajetit, pro këtij propozimi kanë qenë 69 vota.

“Kënaqësi e veçantë të takoja pjesën më të madhe të Ministrave të Transportit të 16 landeve gjermane në prag të votimit të njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës. Edhe me i lumtur, kur nga 69 votat e përgjithshme të Bundesratit, Republikës tonë nuk i mungon asnjë votë. Kjo flet shumë për miqësinë ndërmjet dy vendeve tona, si dhe për fuqizimin dhe ngritjen e cilësisë së standardizimit të patentë shoferëve të Kosovës me normat evropiane. Faleminderit Gjermani”, ka shkruar Ajeti.

https://www.facebook.com/avdullah.hoti/posts/493725858781600

(Kosova Sot Online)