Rizgjidhet president i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier

  • A.P /
  • 13 February 2022 - 18:03
Rizgjidhet president i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier

Frank Walter Steinmeier është zgjedhur president i Gjermanisë këtë të diel edhe për një mandat të dytë.

Politikanët gjermanë dhe delegatë nga i gjithë vendi rizgjodhën Steinmeierin në rolin kryesisht ceremonial si kreu i shtetit.

Ai arriti të fitojë 77 për qind të votave në Bundesversammlung (Konventa Federale) në Berlin.

Sesioni përbëhej nga anëtarët e Bundestagut të Gjermanisë, ose dhoma e ulët e parlamentit, së bashku me një numër të barabartë delegatësh të zgjedhur nga 16 shtetet e vendit.

Derisa pranoi mandatin e dytë pesë-vjeçar, Steinmeier tha se ai është në anën e të gjithëve që promovojnë demokracinë dhe paralajmëroi për mundësinë e luftës nëse Rusia pushton Ukrainën.

“Ne jemi në mes të rrezikut të një konflikti ushtarak, një lufte në Evropën Lindore”, tha Steinmeier në kongres, duke shtuar se “Rusia mban përgjegjësinë për këtë”.

“I bëj thirrje presidentit Putin që të lirojnë unazën rreth qafës së Ukrainës dhe të gjithë bashkërisht një rrugë që ruan paqen në Evropë”, shtoi ai, raporton DW.

Presidenti 66-vjeçar, një socialdemokrat që shërbeu dy herë si ministër i jashtëm i ish-kancelares Angela Merkel dhe më parë shef i kabinetit të ish-kancelarit Gerhard Schröder, është i pëlqyer nga publiku gjerman.

Një sondazh i fundit i opinionit tregoi se 85 për qind e njerëzve në Gjermani mendonin se ai po bënte një punë të mirë dhe ai gëzon mbështetjen e koalicionit qeverisës dhe partive kryesore opozitare konservatore.

(Kosova Sot Online)