Deklarohen të pafajshëm tre të akuzuarit për vjedhje të rëndë në fshatin Isniq të Deçanit

  • A.P /
  • 16 February 2022 - 17:17
Deklarohen të pafajshëm tre të akuzuarit për vjedhje të rëndë në fshatin Isniq të Deçanit

A.B, J.I dhe E.B janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e Prokurorisë së Pejës, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë në shtëpinë e të dëmtuarit T.B.

Një deklarim të tillë të pandehurit, secili veç e veç, e kanë bërë në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Lumturije Hoxha dhe njoftimi me të drejtat e tyre nga gjykatësi Leon Perlaska, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky proces gjyqësor po zhvillohet në degën e Klinës, pasi lënda ishte transferuar nga dega e Deçanit. Një gjë e tillë kishte ndodhur për shkak se gjykatësi Sullan Dobraj kishte kërkuar përjashtimin e tij nga kjo lëndë, me arsyetimin se ishte klient në restorantin e të dëmtuarit.

Ndryshe, në fillim të seancës mbrojtësit e të pandehurve, avokatët Rrustem Lajqi, Dukagjin Kërveshi dhe Safete Tolaj, deklaruan se prokuroria kishte dorëzuar të gjitha shkresat e lëndës, përveç një prove, CD-në me video-incizime. Mirëpo, kjo provë sipas gjykatësit Perlaska nuk përbën pengesë për mbajtjen e shqyrtimit fillestar.

Pas deklarimit të pandehurve, këta të fundit dhe mbrojtësit e tyre gjykata i njoftoi për mundësinë që brenda afatit prej 15 ditësh, të kundërshtojnë aktakuzën dhe provat e saj.

Ndryshe, seanca fillestare për këtë rast ishte tentuar të mbahej edhe më 12 mars 2021, por e njëjta kishte dështuar.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, A.B, J.I dhe E.B akuzohen se më 12 gusht 2020, rreth orës 22:30 minuta, në fshatin Isniq të Deçanit, me dashje e në bashkëkryerje, me përdorimin e forcës kanë kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit përmes forcës kanë depërtuar në shtëpinë e mbyllur të dëmtuarit T.b dhe ia marrin pasurinë e luajtshme e cila vlerësohet mbi 5 mijë euro, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete.

Me këto veprime thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të lartpërmendurit kanë kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 315, paragrafi 2, nën paragrafi 2.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.


(Kosova Sot Online)