U anulua sërish seanca e rastit të Donjeta Pajazitajt, reagon avokati i të akuzuarit

  • G.G /
  • 21 February 2022 - 13:10
U anulua sërish seanca e rastit të Donjeta Pajazitajt, reagon avokati i të akuzuarit

Është anuluar seanca e sotme e gjykimit të Naser Pajazitajt, i dyshuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe avokati i të akuzuarit, Ahmet Tahiri.

Sipas Tahirit, zvarritja e këtij procesi gjyqësor është krejtësisht e panevojshme, teksa arsyetimin për shtyerjen e gjykatës e ka quajtur si një arsye më shumë për të mbajtur në burg një të pafajshëm.

“Ndonëse kanë kaluar rreth 3 muaj nga kthimi i “rastit Pajazitaj” në rigjykim, zvarritja e procesit gjyqësor është krejtësisht e panevojshme duke konsideruar se një i akuzuar I pafajshëm po mbahet i privuar nga liria. Arsyetimi se kjo seancë ka dështuar për shkak të mos sigurimit të transportit është shembull se si një i pafajshëm mund të vazhdojë të qëndroj në burg për arsye nga më banale” ka thënë avokati Tahiri.

Tutje, ai ka shtuar se deklarata e vëllaut të Donjetës, për pritjen e vdekjës së njërit, nuk mund të rikthejë në jetë tjetrin.

“Ndërkohë, me gjithë respektin për palën tjetër që dëshiron drejtësi, ajo nuk mund të arrihet me aludime të paqena duke vënë në pyetje dyshimin “për pritjen e vdekjes së të dyshuarit”. Vdekja e askujt nuk e rikthen në jetë dikë tjetër! Vetëm drejtësia mund të fashisë sadopak dhembjen e secilës palë të përfshirë në këtë proces gjyqësor. Veçanërisht edhe të familjes se Naser Pajazitaj që në këtë rast po privohet nga liria padrejtësisht” ka përfunduar avokati.

(Kosova Sot Online)