A i prek edhe veteranët e UÇK-së rritja e pagës minimale?

  • G.G /
  • 22 February 2022 - 11:34
A i prek edhe veteranët e UÇK-së rritja e pagës minimale?

Paga minimale që parashihet me planin qeverisës të rritet nga 170 në 250 euro pritet të sjellë pakënaqësi te veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pasi nuk pritet të rriten edhe pensionet e tyre që parashihte dikur Ligji për Veteranët.

Ligji i miratuar më 2014 përkatësisht neni 18, parasheh lartësinë e shumës së pensioneve për këto kategori, ku ishte vendos që mos të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë.

Megjithëse, sipas zyrtarëve të Qeverisë Kurti 2, neni 18 i këtij ligji është shfuqizuar në vitin 2017 me ndryshimet ligjore të ligjit për veteranët dhe me këtë ndryshim nuk pritet të ketë rritje të pensioneve për këto kategori.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku nuk ka njohuri për këto ndryshime ligjore.

Ai ka deklaruar se Ligji e specifikon qartë që veteranët nuk mund të kenë pensionet më të vogla se pagën minimale, dhe siç thekson ai nëse ndryshohet ligji, veteranët do të organizojnë protesta.

“Nuk mundet me u ndarë, sepse me ligj është e parashikuar që veterani e ka pensionin jo më të vogël se paga minimale. Në momentin që rritet paga minimale në Kosovë, rritet edhe pensioni i veteranit… S’është dashur të ndryshojë ligjin askush, qeveria e rritë pagën minimale, veteranit i rritet pensioni… Ligjin nuk e ndryshon Qeveria, por Kuvendi… Ligji e thotë që veterani nuk mund të ketë pensionin më të vogël se pagën minimale… Nëse ndryshohet ligji, veteranët i bëjnë protesta qeverisë. Pse ta ndryshojnë, e veç veteranët po u dashka me vuajt në këtë drejtim a dhe të kenë pasoja. Por, nuk ka thënë askush që do ta ndryshojë ligjin”, thotë Klinaku.

Ligji për veteranët ka hyrë në fuqi në vitin 2014, ndërsa ndryshimet ligjore janë bërë në fund vitit 2016, ndërsa në gazetën zyrtare është publikuar më 2017.

Aktualisht mbi 30 mijë veteranë të luftës së fundit marrin pensione nga buxheti i shteti ose mbi 60 milionë euro në vit. Për këtë kategori, ka pasur edhe proces gjyqësor.

(Kosova Sot Online)