Kryetari i LDK-së për zhvillimet Rusi – Ukrainë: Anëtarësimi i Kosovës në NATO të ndodh sa më parë

  • E.K /
  • 24 February 2022 - 13:45
Kryetari i LDK-së për zhvillimet Rusi – Ukrainë: Anëtarësimi i Kosovës në NATO të ndodh sa më parë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Adixhiku sërish ka reaguar për zhvillimet e fundit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës duke thënë se Kosova si edhe herave të tjera, u rreshtua përkrah aleatëve perëndimor.

Sipas tij në këto momente duhet forcim aleancash mes popujve që ndajnë vlera të përbashkëta.

Ai ka thënë se duke parë situatën në këtë pjesë të Evropës, anëtarësimi i Kosovës në NATO, është domosdoshmëri.



Postimi i plotë:

Kosova njeh mirë rëndesën e terrorit e pushtimit. Njeh mirë dhe mohimin e lirisë e luftën e agresorit.
Prandaj rreshtimi ynë shtetëror, tashmë tradicional me aleatët perëndimorë, në dënim të agresionit rus e në mbështetje të popullit ukrainas, është i natyrshëm, i drejtë dhe i paalternativë. Mbi të gjitha është shenjë e qartë e vlerave demokratike e euroatlantike, që Republika e Kosovës i kultivon me bindje.
Ngjarjet e tilla nuk i ndikojmë, por ato na ndikojnë. Ky moment i ri, i rikujtimit të orëve të rënda të luftës në Evropë, duhet të jetë dritare reflektimi për komunitetin ndërkombëtar – për forcim aleancash mes popujve që ndajnë vlera të përbashkëta e synime të qarta përpara. Prandaj, anëtarësimi i Kosovës në NATO – sa më parë – është domosdoshmëri e kohës sonë.

(Kosova Sot Online)