Deti Jon nën patrullimin e NATO-s

  • E.K /
  • 24 February 2022 - 15:19
Deti Jon nën patrullimin e NATO-s

Prej disa orësh anija ruse raketa lëshuese “Mareshall Ustinov” është pozicionuar në detin Jon, 200 milje larg brigjeve jugore italiane, rreth 180 milje larg portit të Tarantos ku është ndodhet baza kryesore e Natos në Mesdhe.

 “Mareshall Ustinov”  konsiderohet killer i avionëve e më i madhi i flotës ruse, i gjatë rreth 180 metra me aftësinë të lëshoj drejt një këndi të largët 16 raketa njëherësh.

Lajmi është përcjellë nga të gjitha mediat italiane, përmes informacionit të marrë nga një “spotter” i cili gjurmon lëvizjet e mjeteve militare në rrugë ajrore e detare.

Anija ruse gjatë 24 orëve të fundit është larguar nga ujërat e Mesdheut Qëndror duke iu afruar brigjeve jugore jonike italiane e gjatë paradites së sotme 24 shkurt 2022 po spostohet në jug të Kretës e me shumë gjasa po drejtohet në portin sirian Tartus.

Po në ujërat e Jonit përballë anijes ruse, ndodhet e pozicionuar dhe anija aeroplanmbajtëse amerikane Truman e cila mban rreth 60 avionë bombardues të tipit F-18 Hornet.

Anije ruse raketa lëshuese “Mareshall Ustinov” ka hyrë në ujërat e detit Jon në fundjavën e shkuar, e ka vënë në alarm sistemin e sigurisë së Natos.

Nga bazat ushtrake të NATO-s dy avionë ushtarakë po patrullojnë nga ajri brigjet jugore italiane, ku është pozicionuar anija ushtrake ruse.

Ndërkohë gjatë paradites së sotme nga baza ushtrake italiane Aviano është nisur drejt bazës Cljul të Rumanisë avioni furnizues karburanti USAF KC-135R.

Ndërkohë dy avionë të tjerë italianë po patrullojnë Detin Jon; avioni ATR P-72B (MM62321), i nisur nga aeorporti ushtarak Pratica del Mare në Romë e Leonardo AË-139 (MM81932),  i nisur nga baza e Katanias.

Kryeministri italian Mario Draghi ka thirrur mbledhjen e Këshillit të lartë të Sigurisë e gjatë pasdites pritet një komunikim zyrtar i qeverisë italiane.

Kjo e fundit ka deklaruar se Italia me aleatët e saj në NATO po fuqizon sigurinë lindore të Aleancës së Atlantikut Verior e po forcon kontributin e saj ushtarak në vendet e aleancës më të ekspozuara nga sulmi ushtarak rus në Ukrainë./

(Kosova Sot Online)